Sulmi në linjën Amsterdam-Paris, rriten masat e sigurisë në stacionet e trenave

Zyrtarët e Bashkimit Europian pas sulmit të armatosur të ndërmarrë javën e kaluar në trenin Amsterdam-Paris vendosën që  të rritin masat e sigurisë në stacionet e trenave, raporton Anadolu Agency (AA).

Ministrat e Punëve të Brendshme dhe Transporteve të BE, me ftesë të ministrit të Jashtëm francez, Bernard Cazeneuve u mblodhën në Paris për të diskutuar masat që do të merren pas sulmit të ndërmarrë ndaj treni javën e kaluar.

Në deklaratën përfundimtare të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme franceze, theksohet se ministrat kanë rënë dakord për kontrollin apo regjistrimin e kartave të identitetit dhe të bagazheve dhe se gjatë kontrolleve do të merren parasysh edhe informatat e ardhura nga shërbimet e inteligjencës.

Gjithashtu është theksuar se do të forcohen edhe më tej masat e kontrolleve dhe se forcat e sigurisë nëpër stacionet e trenave në raste të nevojshme do të jenë në komunikim të vazhdueshëm me institucionet ligjore në BE si dhe me Agjencinë e Mbrojtjes Kufitare të BE-së (Frontex).

Ministrat gjithashtu kanë rënë dakord që të vihet në zbatim urgjentisht edhe një sistem i cili parashikon të regjistrojë të dhënat e identitetit të udhëtarëve. Sistemi në fjalë brenda BE-së përdoret vetëm në Britani.

Marokeni Ejup El Khazzani, më 21 gusht ndërmori një sulm në trenin e linjës Amsterdam-Paris ku si pasojë mbetën 3 persona të plagosur.

Në lidhje me ngjarjen pati nisur një hetim, ku avokati i El Khazzani u shpreh se El Khazzani kishte hipur në tren me qëllimin për të kryer grabitje me armë.

Lajme të ngjashme

Back to top button