Itali, gjenden edhe 16 trupa të emigrantëve

Palombarët në Itali rinisën sërish gjatë së dielës kërkimet për personat e humbur pas mbytjes së anijes me emigrantë nga Afrika. Gjatë orëve të pasdites janë gjetur trupat e pajetë të 16 emigrantëve.

Më shumë se 300 refugjatë afrikanë mendohet të kenë vdekur. Ndërkohë që palombarët rifilluan operacionin e gjetjes së trupave pas një ndërprerjeje që prej së premtes për shkak të detit të trazuar në brigjet e Lampeduzës, ku ndodhi tragjedia të enjten.

Italia po kthen trupat e emigrantëve afrikanë. Të mbijetuarit, emigrantët e tjerë dhe forcat policore nderuan 111 të vdekurit të vendosur në arkivole me një trëndafil mbi to, me përjashtim të 4 arkivoleve të fëmijëve, që kishin mbi to një arush lodër, dhe që ishin radhitur në një depo të aeroportit të Lampeduzës.

Në vend të emrave, viktimat kishin vetëm numra. Ekipet e kriminalistikës, që janë përpjekur të identifikojnë trupat që prej aksidentit të së enjtes, morën pjesë në ceremoninë për nder të viktimave.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit, Cecile Kyenge, e cila është përballur me një seri akuzash raciste si ministrja e parë zezake e Italisë, bëri thirrje për lehtësimin e rregullave të ashpra të imigracionit të paligjshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button