Kosova mbetet pa miqësore
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka mbetur pa miqësore për muajin shtator, pasi ndeshja kundër Burkina Fasos është anuluar.
Krejt kjo ka ndodhur pasi Burkina Faso ka dërguar listën e futbollistëve të U-23, çka nuk është pranuar nga Federata e Futbollit të Kosovës (FFK).
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i FFK’së, Fazli Berisha, i cili tha se ndeshja me Burkina Fason është anuluar, pasi ata nuk kanë bërë ndryshimet e kërkuar.
“Ndeshja me Burkina Fason është anuluar përfundimisht, pasi ata nuk kanë bërë ndryshimet e kërkuara nga FFK, duke dërguar vetëm listën e futbollistëve të U-23”, tha Berisha për Gazet Express.
Ai po ashtu tha se përfaqësuesja do të grumbullohet dhe do të vazhdojë punën në një kamp të përbashkët, pasi kjo është kërkuar nga përzgjedhësi Albert Bunjaki.
Kujtojmë se ndeshja miqësore kundër Burkina Fasos do të duhej të zhvillohej me 2 shtator, ndërsa tashmë grumbullimi i përfaqësueses do të bëhet me 31 gusht dhe do të vazhdoj deri me 3 shtator ku të ftuar do të jenë 24 futbollistë.