Shqipërisë 32 milionë dollarë për modernizimin e shërbimeve publike

Shqipërisë i janë akorduar 32 milionë dollarë amerikanë nga fondi që ka vendosur të lëvrojë Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim në kuadër të projektit “Ofrimi i shërbimeve me në qendër qytetarin”.

Në njoftimin për shtyp të Bankës Botërore, transmeton Shqiptarja, thuhet se pavarësisht përmirësimeve të mëdha gjatë dekadës së fundit, veçanërisht ndaj shërbimeve të biznesit, ofrimi i shërbimeve administrative në Shqipëri është larg standardeve europiane.

Më shumë se një milion qytetarë përballen me një strukturë shtetërore shërbimi jo shumë efikase dhe të fragmentuar gjatë marrjes së shërbimeve, ku korrupsioni dhe pabarazia janë të pranishme. Perceptimi i korrupsionit në ofrimin e shërbimeve mbetet i lartë.

Tahseen Sayed, Menaxhere e Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë, është shprehur: “Projekti synon të mbështesë Shqipërinë për të kryer reforma me shtrirje sa më të gjerë dhe tërësore. Përmes fokusit në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve, rritjen e transparencës, uljen e shtrirjes së korrupsionit, dhe rritjen e llogaridhënies prej Qeverisë, projekti i ri përforcon më tej Kuadrin e partneritetit për Shqipërinë që është aprovuar së fundmi.”

Fokusi i projektit është përqendruar në uljen e kohës dhe të kostove të ofrimit të shërbimeve publike për qytetarët dhe për qeverinë përmes ofrimit të shërbimeve online dhe dixhitalizimit. 2.4 miliardë dollarë është shuma në total e përfituar nga Shqipëria falë projekteve të Shoqatës Ndërkombëtare për Zhvillim, dhe huave nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që nga viti 1991 kur vendi ynë u bë pjesë e Bankës Botërore.

Lajme të ngjashme

Back to top button