Bullgaria e shqetësuar: Maqedonia shtrembëron historinë
Deputeti bullgar në Parlamentin Evropian Andrej Kovaçev ka deklaruar se Konferenca mbi përvjetorin e kryengritjes Ohër-Dibër, organizuar në Strugë, është hapi i parë i zbatimit të rekomandimeve që bën Parlamenti Evropian.
Por Kovaçev shprehu shqetësimin, se në Shkup, hapja paralelisht e një tjetër konference, me historianë të afërt me partinë në pushtet VMRO DPMNE, tregon se një pjesë e popullit dhe e shtetit të Maqedonisë, nuk dëshiron t’i përmbahet rekomandimeve evropiane.
Në vlerësimin e tij, për konferencën e Strugës, Kovaçev shprehu mirënjohje për Komunën e Strugës, Shoqatën e historianëve shqiptarë të Maqedonisë dhe dhe Klubi kulturor bullgar.
Sipas tij, kryengritja Ohër-Dibër është një valë revolte e shqiptarëve dhe bullgarëve kundër regjimit serb, por historianët e mbledhur në Shkup, shtrembërojnë historinë. Për këtë çështje, Kovaçev ka garantuar njoftimin e Parlamentit Europian. Sipas tij, shteti i Maqedonisë ka frikë të pranojë të vërtetën dhe faktet historike.