Veliaj: Ja sanksionet për vandalizmat dhe ndotjen e kryeqytetit

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi sot një takim me 24 administratorët e bashkisë së madhe. Veliaj kërkoi bashkëpunimin e tyre për mbarëvajtjen e aksioneve që bashkia ka ndërmarrë ditët e fundit. Kreu i bashkisë Tiranë tha se janë gjetur donatorët për rikonstruksionin e 31 çerdheve si dhe u ndal tek aksion i pastrimit, i parashikuar nga bashkia për në datën 4 shtator.

Ai tha se aksioni i pastrimit ka të bëjë me një mentalitet të ri që duhet futur në Bashkinë e Tiranës, transmeton Shekulli.

“Plehrat në Tiranë nuk vijnë nga pushtues të huaj. Plehrat shkaktohen nga njerëzit që jetojnë në Tiranë. Duhet të gjejmë të gjitha mënyrat që ky qytet të bjerë dakord me disa norma për bashkëjetesë. Në 3 javët e fundit të bashkisë kemi treguar se kjo bashki është më e pastër sesa ka qenë në 4 vitet e fundit. Tani që kemi filluar të bëjmë maksimumin kemi bërë çmos që Tirana të gdhihet më e pastër. Ftojmë edhe qytetarët të bëhen pjesë e kësaj nisme. Plehrat nuk bien nga qielli. Të gjithë jemi rritur në një Shqipëri të varfër, por asnjë nuk vijmë nga një familje pisanjose.

Lexojmë përditë shkrimet në mediat e huaja, që e cilësojnë vendin tonë perlë, por kritikojnë nivelin e pastërtisë. 1 për qind e qytetarëve i hedhin plehrat në rrugë. Pra pse duhet që 99 për qind që respekton ligjet dhe pastërtinë të cenohet nga ky 1 përqindësh?”, tha Veliaj.

Më tej, ai prezantoi një listë prej 7 masash ndëshkimore në rast të shkeljeve që dëmtojnë pastërtinë dhe rregullin e kryeqytetit.

1- Hedhja e mbeturinave në rrugë ose jashtë kontenierëve – 5.000 lekë

2- Kryerje e punimeve pa leje – 500.000 lekë + shpenzimet e prishjes

3- Shfrytëzimi i paligjshëm i hapësirave publike – 20.000 lekë + 300 lekë/m2

4- Vandalizimi i pronës publike me – 20.000 lekë

a) Dëmtim, bllokim, vjedhje pusete;

b) urinim/pështyrje/grafiti në rrugë;

c) dëmtim i shtyllave të ndriçimit/ndriçuesve;

d) dëmtim pemësh

5- Ndotje e rrugëve nga automjete te rënda (baltë, vaj, llaç) – 10.000 lekë

6- Djegia, zhvendosja, dëmtimi dhe vjedhja e kontenierëve – 20.000 lekë

7- Ndotja dhe mospastrimi i ambientit pas aktiviteteve – 5.000 lekë

Lajme të ngjashme

Back to top button