Maqedoni prindërit për fillimin e vitit shkollor duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës

Qytetarët e Maqedonisë, të cilët fëmijët e tyre i regjistrojnë në klasë të parë, për pajisje shkollore dhe veshmbathje, duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës së tyre mujore. Rroga mesatare mujore në Republikën e Maqedonisë, sipas të dhënave të Entit shtetëror për statistikë, për muajin maj arrin 22.071 denarë, rreth 360 euro, që do të thotë se një prind për fillimin e vitit shkollor duhet të ndajë rreth 120 euro, raporton AA.

Librat janë një nga shpenzimet kryesore për shkollën, por në Maqedoni ato janë falas për shkollimin fillor dhe të mesëm, sepse i siguron Ministria e Arsimit të Republikës së Maqedonisë. Megjithatë, prindërit doemos duhet t’ju sigurojnë fëmijëve pajisje shkollore, ku bëjnë pjesë fletoret, lapsat, stilolapsat, goma, bllok vizatimi dhe gjëra tjera të nevojshme për shkollën.

Sipas deklarimeve të shitësve në librari dhe prindërve të cilët blejnë pajisjet shkollore, mesatarisht një komplet fletore kushton rreth 120 denarë, një stilolaps mesatarisht kushton rreth 15 denarë, një bllok vizatimi 60 denarë (rreth 1 euro), pajisja për gjeometri rreth 200 denarë (3.26 euro). Përveç tyre, prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve edhe çantë shkolle që kushton rreth 900 denarë (15 euro) atlete që mesatarisht kushtojnë 1000 denarë (16.5 euro) xhinse, ku çmimi i tyre mesatar është 1000 denarë, këmishë që kushton 500 denarë (rreth 8 euro), xhaketë për fëmijë, mesatarisht kushton 1500 denarë (25 euro).

Por kjo nuk është e tëra, tregojnë prindërit, gjithmonë ka edhe shpenzime shtesë. Si për arsimin fillor ashtu edhe për atë të mesëm librat dhe rruga sigurohet nga ana e Ministrisë së Arsimit, që për prindërit e fëmijëve të cilët ndjekin arsimin e mesëm paraqet lehtësim. Prindërit tregojnë se një pjesë bukur e mirë e shpenzimeve shkon edhe në dhënien e një buxheti ditor për fëmijët, që në ditë kushton minimum 1.5 euro, rreth 100 denarë. Megjithatë, sipas fjalëve të prindërve të gjimnazistëve, për një fëmijë doemos duhet të ndajnë së paku një të tretën e rrogës mesatare në Maqedoni (120 euro).

Lajme të ngjashme

Back to top button