Rama-deputetëve: Arka e shtetit është bosh

Kryeministri, Edi Rama organizoi dje një drekë pune me deputetët e grupit parlamentar socialist për “të raportuar” lidhur me emërimet e para të bëra nga qeveria si edhe situatën financiare në të cilën ndodhet vendi. Takimi, që ka zgjatur për rreth 3 orë është zhvilluar larg kryeqyteti, në një prej restoranteve luksozë në Linzë të komunës së Dajtit, ku kryeministri Rama bashkë me ministrat e tij kanë diskutuar me deputetët për nevojën e mbështetjes në Kuvend të nismave të qeverisë.

Burime nga takimi i zhvilluar me dyer të mbyllura pohuan për “Gazeta Shqiptare” se gjatë kësaj dreke pune, deputetët u kanë kërkuar ministrave që të përfundojnë sa më shpejt emërimet me argumentin e presioneve që po ushtrohen ndaj tyre nga militantët për t’u punësuar në administratën publike. Po sipas burimeve mësohet se kryeministri Rama u ka rikujtuar deputetëve situatën e rëndë ekonomike që sipas tij ka lënë pas qeveria “Berisha” duke theksuar disa herë pretendimin se “e kemi gjetur pothuajse bosh arkën e shtetit”.

Në këtë drekë pune është folur edhe mbi një sondazh të realizuar së fundimi nga strukturat e Partisë Socialiste nga ku ka rezultuar, gjithmonë sipas burimeve, se nëse zgjedhjet do të zhvilloheshin tani, mazhoranca aktuale qeverisëse do të votohej sërish nga shqiptarët në masën 56 përqind. 

MUNGESAT
Të pranishëm në këtë drekë pune të kabinetit qeveritar me grupin parlamentar socialist kanë qenë të gjithë deputetët me përjashtim të Fatmir Xhafajt e Fatmir Toçit, që sikundër u mësua mungonin për shkak të angazhimeve të tyre private jashtë vendit. I pranishëm në këtë takim ka qenë edhe deputeti, Ben Blushi, i cili mungoi në darkën e shtruar pak kohë më parë nga Rama me deputetët në Durrës, për shkak se ishte ftuar në një tjetër darkë pune me ambasadorin e SHBA-ve, Aleksandër Arvizu. 

KOMENTI
Alfred Peza ka qenë i vetmi deputet socialist që ka preferuar të komentojë publikisht këtë drekë pune të thirrur nga kryeministri Rama me grupin parlamentar të PS-së. Me anë të një postimi në rrjetin social të “Facebook”-ut, Peza bëri të ditur për miqtë e tij virtualë se “si deputet i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ishim të gjithë sëbashku në një takim pune me kryeministrin Edi Rama në Linzë, ku diskutuam për hapat e deritanishëm në qeverisje dhe sfidat emergjente që duhet të përballojmë brenda tetorit e në vijim. Një takim i frutshëm. Pritshmëria e qytetarëve nuk do shkojë dëm”, – shkruan Peza në “Facebook”./ Balkanweb

Lajme të ngjashme

Back to top button