Pasaniku arab bëhet shtetas i Maqedonisë

Një shtetas i Arabisë Saudite është duke pritur pasaportën e Maqedonisë, me ndihmën e të cilës do të fitojë të gjitha të drejtat dhe detyrimet që i gëzon një shtetas vendas, shkruan Koha.

Kohë më parë shtetasi arab, identiteti i të cilit nuk bëhet me dije, ka aplikuar për t’u pajisur me pasaportën e Maqedonisë, në mbështetje të investimit që ka bërë në Maqedoni. Sipas të dhënave zyrtare, pasaniku arab, në mbështetje të Dekretit për përcaktimin e kritereve për interes të veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv ose një interes tjetër, ka plotësuar kushtet për t’u pajisur me shtetësinë maqedonase.

Ai kohë më parë në Maqedoni ka bërë një investim që kalon shumë e 400 mijë eurove, investim ky që i ka dhënë të drejtën të bëhet shtetas maqedonas.

“Në mbështetje të Dekretit për përcaktimin e kritereve për interes të veçantë shkencor, ekonomik, kulturor, sportiv ose një interes tjetër, i miratuar në dhjetor të vitit 2012, kërkesë për t’u pajisur me shtetësinë maqedonase si rezultat të investimeve të huaja direkte në shumë që kalon 400 mijë euro ka parashtruar vetëm një shtetas i Arabisë Saudite. Procedura administrative për pajisjen e tij me shtetësinë dhe pasaportën maqedonase është në vijim e sipër”, tha Liza Bendevska, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Me ndryshimin e rregullativës ligjore nga fundi i vitit 2012, qeveria u dha mundësi investitorëve të huaj në këmbim të kapitalit të investuar në Maqedoni dhe për hapjen e dhjetë vendeve të reja në kuadër të kapaciteteve të tyre të fitojnë shtetësinë maqedonase. Megjithatë, sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, asnjëri nga investitorët e huaj mundësinë ligjore në fjalë dhe nuk është interesuar për pasaportën dhe shtetësinë e Maqedonisë, me përjashtim të pasanikut arab.

Lajme të ngjashme

Back to top button