Miss Globe edhe një edicion të fundit në Shqipëri
Fillimi i nëntorit do të shonojë 10 vjetorin e organizimit të Miss Globe në Shqipëri. Ky edicion i 40-të i një prej aktiviteteve më të mëdha të bukurisë në botë, do të vijë në qytetin e Durrësit këtë vit dhe deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen 48 konkurente nga të gjitha anët e botës. Gara e bukurisë, siç është traditë tashmë e “Deliart Association”, do të organizohet me të njëjtën formulë si këto nëntë vjetët e fundit.
Vajzat do të mblidhen në kryeqytetin shqiptar për të ndjekur më pas turin e zakonshëm të Miss Globe nëpër qytetet kryesore turistike dhe historike të vendit tone. Një detaj i turit të këtij vitit është fakti se meqë fituesja e vjetshme e Miss Globe është shqiptare, Kleoniki Delijorgji do të jetë ajo bujtësja e vajzave pjesëmarrëse.
Kleoniki do të jetë protagoniste në ekran, ajo që fton vajzat të vizitojnë dhe shijojnë bukuritë shqiptare konkurentet e Miss Globe. Rrugëtimi i Miss Globe në Shqipëri nisi 10 vjet të shkuara dhe qëllimi i Deliart Association, për ta sjellë në Shqipëri evenimentin e madh ndërkombetar të bukurise u arrit ne shtatorin e vitit 2004, pas katër vitesh përpjekje.
Kështu u kurorëzua për herë të parë në një skenë shqiptare, në amfiteatrin e Durrësit, një Miss Globe 2004, që ishte bukuroshja 18-vjecare nga Rusia Kristina Slavinskaya. Pranverën e vitit pasardhës, më datë 22 shkurt, i ndjeri Charlie See, presidenti i Miss Globe u rikthye në Tiranë për të firmosur serish të drejtën që i dha Petri Bozos, duke i besuar kështu edhe organizimin e këtij konkursi ndërkombëtar në Shqipëri. Sivjet Miss Globe feston 10 vjetorin shqiptar dhe sipas kontratës, Bozo ka edhe një vit tjetër të drejtë të organizimit të këtij konkursi bukurie.