Zbulohen 29 milionë dollarë abuzime me pensione në Shqipëri

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka arritur të zbulojë rreth 2.9 miliardë lekë dëme nga rastet e abuzimit me pensionet.

Në një intervistë për gazetën Panorama, drejtoresha e ISSH-së, Vjollca Braho nënvizon se rastet e mashtrimit për moshën, apo edhe falsifikimit dhe publikimit të pensioneve janë arritur të zbulohen nga digjitalizimi dhe kontrolli i dosjeve brenda institucionit.

“Vetëm për vitin 2012 shuma e rikuperuar është 377 milionë lekë”. Sipas drejtoreshës Braho janë gjetur mashtrime me vjetërsinë në punë (stazhin e punës), moshën dhe deri te një person që merr disa pensione.

Nga auditi i ISSH-së janë kontrolluar në mënyrë manuale të gjitha dosjet e pensioneve urbane për shumicën e rajoneve dhe nga ky kontroll ka rezultuar që rreth 5 600 dosje kanë pasur probleme. Më konkretisht, rreth 1 750 dosje kanë rezultuar me datëlindje të ndryshme nga ajo e gjendjes civile, duke përfituar pension para kohe nga disa muaj e në disa vite. Pjesa tjetër kanë rezultuar me probleme të stazhit në punë, si shtim fiktiv i stazhit, falsifikime të regjistrave, ndryshim të punës nga kategori e tretë në kategori të parë, ndryshim të punës nga punë në kooperativa bujqësore në ndërmarrje shtetërore etj.

Të gjitha këto ndryshime kanë sjellë përfitimin e pensionit më shumë dhe më parë se normalisht. Për të gjitha këto dosje me probleme, është zbatuar një procedurë e përcaktuar nga ana ISSH-së, e cila konsiston në pezullimin e pensionit, kontaktimin e qytetarit me sigurimet shoqërore rajonale, pranimin e dokumenteve që kërkohen për të vërtetuar saktësinë e dosjes, rillogaritjen e pensionit në kushtet e reja, llogaritjen e dëmit të shkaktuar, ndalesën e dëmit në masën 50 për qind të pensionit mujor, si dhe kallëzimet penale për rastet kur ka rezultuar falsifikim.

Gjithashtu, në kuadër të informatizimit të sistemit, deri tani janë digjitalizuar rreth 90 për qind e dosjeve të vjetra të pensionit dhe ky proces hedhjeje të dhënash është i lidhur online me regjistrin kombëtar të shtetasve, çka do të thotë që gjeneraliet dhe data e lindjes ngarkohen automatikisht në sistem. Nga ballafaqimi i datëlindjes në regjistrin e shtetasve me datëlindjet e certifikatave të lindjes të paraqitura nga qytetarët, ka rezultuar se 856 pensionistë kanë përfituar pension me datëlindje të falsifikuar. Ky proces hedhje të dhënash ka evidentuar edhe rastet kur një person përfitonte dy pensione në rajone të ndryshme. Deri më tani kanë rezultuar 96 raste me pensione të dubluara. Për të gjitha këto raste, është zbatuar procedura e mësipërme dhe janë kallëzuar nga ana jonë për ndjekje penale pranë organeve përkatëse.

Lajme të ngjashme

Back to top button