LSDM: Në Maqedoni prodhohet dhe shitet duhan i ndaluar, Gruevski të tregojë kush përfiton?

Kush kryen prodhimtari dhe blerje ilegale të duhanit të ndaluar “Virxhinia”, ku po eksportohet dhe në cilin xhep po përfundojnë milionat prej prodhimit ilegal? pyet sot LSDM, pasi ka zbuluar detale për prodhimin e duhanit të ndaluar në Prilep. Prej partisë kërkojnë që Ministria për Bujqësi, të ndërmarrë masa që menjëherë të ndalohet prodhimi i këtij lloji të duhanit, njofton Portalb.

“Me mbështetje dhe leje në zonën e fshatit Mogilla, në Pellagoni edhe këtë vit po shihet duhani me gjethe të mëdha i tipit Virxhinia, i cili është i ndaluar në Republikën e Maqedonisë. Këto ditë në Mogilla po shihen hapësira me Virxhinia me madhësi prej rreth 100 hektarë të cilat janë pronë e gjashtë familjeve. Prodhimtarët e këtij llojit të duhanit në kompaninë publike “Strazhevo”, e cila ofron ujitje për tokat e Pellagonisë, kanë lajmëruar se kërkojnë ujitje për fusha me misër.

Sipas informatave, pavarësisht nga vështirësitë për ujitje “JP Strazhevo” në 12 gusht u ka lëshuar ujë për ujitje mu për këto hapësira.

Çmimi i këtij duhani ilegal shkon deri më 10 euro për kg. në tregun botëror, ndërkaq duhani oriental të cilin e prodhojnë fshatarët tanë shkon prej 2 deri më 3 euro për kg.

Duhani Virxhinia mund të prodhohet 2 tonë në hektar. Me ketë prej 100 hektarëve fitohen 200.000 kg. Kështu, fitimi joligjor i bie të jetë rreth 2 milion euro” shpjegon LSDM në deklaratën e saj.

Prej partisë kërkojnë që qeveria dhe kryeministri Nikolla Gruevski ta sqarojnë se kush po e lejon prodhimin e këtij duhanit ilegal? Për të cilën dhe po sigurohet dhe kushte për ujitje të cilët fshatarët tjerë nuk i kanë.

“Kush do të mbajë përgjegjësi për këtë krim?”, pyet LSDM.

MPB: Do t’i shqyrtojë akuzat e LSDM-së për prodhim dhe shitje joligjore të duhanit “Virxhinia”

MPB do t’i shqyrtojë akuzat e LSDM-së për prodhim dhe shitje të duhanit ilegal “Virxhinia”, dhe nëse ka çfarëdo dyshimi për akt kriminel ashtu si edhe në të gjitha rastet tjera, së fundi pa selektuar askënd do t’i marrin akuzat e duhura.

Lajme të ngjashme

Back to top button