Basha: PD-ja nuk bën koalicion me arkitektët e kriminalizimit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me gazetarët ditën e mërkurë, tha prerë se “PD-ja nuk bën koalicion për karriken, por është e gatshme për betejë frontale me krimin dhe korrupsionin pa asnjë kompromis”.

“Mediat rendin drejt sensacionit dhe e kuptoj këtë. Thelbi i çështjes është gjendja e vendit dhe nuk është preokupim i imi Rama apo Meta, por qytetari. Rrugëdalja nuk ka mundësi të kalojë nga arkitektët e kriminalizimit dhe korrupsionit. PD-ja nuk bën koalicion për karriken, por është e gatshme për betejë frontale me krimin dhe korrupsionin pa asnjë kompromis”, tha Basha kur u pyet për një koalicion të mundshëm me LSI-në.

Duke u ndalur në gjendjen ekonomike të vendit, Basha deklaroi se shifrat tregojnë se mungojnë 134 milionë dollarë nga doganat dhe tatimet, por kryeministri Edi Rama hesht pasi ka bërë pakt me kontrabandistët.

“Gjendja reale e ekonomisë nuk gënjen. Shifrat nuk e lënë Ramën të ndërtojë kështjella rëre me gënjeshtra. Shifrat tregojnë 134 milionë dollarë deficit në dogana dhe tatime. Të ardhurat që mungojnë vijnë nga kontrabanda e duhanit dhe naftës. Edi Rama hesht për këtë, pasi ka një pakt me kontrabandistët”, theksoi kreu i PD-së.

“Tani, Rama do të godasë sipërmarrësit për të vjelur këto të ardhura dhe nuk do të prekë kontrabandistët”, shtoi Basha.

Kryetari i PD-së preku edhe çështjen e azilkërkuesve: “7000 shqiptarë kërkuan azil në Gjermani vetëm në muajin korrik sepse Rama premtoi 300 mijë vende pune, por sot hesht kur i sheh si largohen njerëzit nga vendi. Këta i ikin gjykimit duke blerë votën, prandaj nuk kanë turp”.

Më tej, kreu i opozitës prezantoi edhe platformën e partisë së tij për daljen nga kriza: “Alternativa jonë është një platformë e plotë për nxjerrjen e vendit nga kriza duke filluar me një paketë emergjence të shpëtimit kombëtar. Në themel të kësaj platforme qëndron një ekonomi transparente dhe jo një ekonomi monopolesh dhe kontrabandistësh; një taksë që do të jetë më e ulta në Ballkan; një dalje nga rekordi i çmimeve më të larta të naftës në rajon dhe ulja e çmimit të energjisë”.

Lajme të ngjashme

Back to top button