Trafikantët e drogës, ja si i shpërndanin në Tiranë pakot për klientët “VIP”

Në mesin e korrikut 2015, në kryeqytet u ndalua një grup shpërndarësish lëndësh narkotike, të cilët shpërndanin kanabis në zonat e njohura të Tiranës dhe për klientë “VIP”.

Ky grup, ndër të tjera, u bë i njohur, edhe pas arrestimit të këngëtarit Cozman (Ylber Abdullahu), i cili u gjet me 20 gram kanabis, të cilin e kishte blerë te ky grup. Të arrestuarit ishin në mbikqyrje nga autoritetet hetimore që prej muajit qershor 2015.

Në përfundim të operacionit u arrit të arrestoheshin në flagrancë shtetasit Marsel Xeba, i dyshuar si organizator i kësaj veprimtarie, si edhe bashkëpunëtorët e dyshuar Ilirjan Xeba dhe Andi Xeba (vëllezërit i tij); Xhuljo Qejvanaj, Noel Papuli, Skerdi Xhelo, Lavdërim Xeba. Fillimisht, Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për veprën “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike..” në prill 2015, në bazë të informacionit të referuar nga ana e Policisë së Shtetit, transmeton Shekulli.

Në vijim të veprimeve hetimore, në këtë procedim penal u bashkuan edhe disa referime të tjera për persona të ndryshëm, të mbërritura në periudhën qershor-korrik 2015, pasi, në bazë të të dhënave të siguruara, u krijuan dyshimet e arsyeshme se operonin së bashku në shpërndarjen e lëndës narkotike kanabis në zonat kryesore të Tiranës, përfshirë ish-bllokun dhe në lokale të frekuentuar.

Ata janë ndjekur nga policia dhe janë parë që të fshehin lëndën narkotike në matësit e ujit apo të energjisë elektrike në hyrje të pallateve. Nga hetimet e kryera dyshohet se shtetasi i identifikuar me emrin Marsel ushtron aktivitet “shitje të lëndës narkotike të llojit kanabis sativa në Tiranë.

Këtë lëndë ky shtetas dyshohet se e shet në doza të vogla kundrejt shumës një mijë lekë, kryesisht në zonën e “Rrugës së Durrësit”, “Rruga e Barrikadave”, “Shkolla e Kuqe”, “Don Bosko”, “Zogu i Zi” dhe në vende të ndryshme të Tiranës.

Ky shtetas, lëndën narkotike dyshohet se e mban të fshehur në vende të ndryshme si: çantën që mban me vete, ose në automjetin “Ford Fiesta” si dhe dyshohet në banesën e tij te Fusha Aviacionit, po ashtu në hyrjet e pallateve ku shet, në bokset e sahateve të ujit dhe energjisë elektrike.

Ai dyshohet se vepron kryesisht me klientelë fikse, të njohur personalisht nga ana e tij, duke e tregtuar gjatë orëve të ditës dhe në mesditë, po ashtu dhe gjatë fundjavës.

Dyshohet se i merr porositë nëpërmjet telefonit ose verbalisht dhe për të shitur mallin përdor shprehje me nënkuptime si; “telefoni është gati”, “atletet janë gati”. Gjithashtu ai përgjithësisht është i përqendruar në vendin e quajtur “Rruga Durrësit”. Në këtë aktivitet të paligjshëm dyshohet se shtetasi Marsel Xeba bashkëpunon me shtetasit Andi Xeba dhe Ilirjan Xeba (vëllezërit e tij) si dhe shtetasin Skerdi Xhelo.

Nga të gjitha provat e administruara, rezulton se shtetasit Marsel Xeba, Ilirjan Xeba, Andi Xeba, Xhuljo Qejvanaj, Noel Papuli si dhe Skerdi Xhelo, në bashkëpunim ndërmjet tyre, ushtrojnë aktivitetin e paligjshëm të shitjes së lëndës narkotike kanabis sativa, duke e shitur klientëve të ndryshëm (Cosmanit, apo personave të tjerë të paidentifikuar), kundrejt pagesës në lekë apo valutë, duke i ndarë përfitimet me njëri-tjetrin.

Lajme të ngjashme

Back to top button