Mospërmbushja e obligimeve nga Qeveria e Kosovës nxjerr përsëri në protestë veteranët e UÇK-së

Disa dhjetëra ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë protestës së sotme në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, përkundër paralajmërimit se shprehja e pakënaqësisë së tyre do të jetë e qetë, në një çast thyen dyert e rrethojave para ndërtesës dhe u futën brenda oborrit deri tek ndërtesa e Qeverisë së Kosovës ku u ndaluan nga njësia speciale e Policisë së Kosovës, raporton Anadolu Agency.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve, Xhevdet Qeriqi tentoi t’i qetësojë veteranët e inatosur, ish-luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që sot protestuan për shkak të shtyrjes së vazhdueshme të publikimit të listave për njohjen e statusit të veteranëve të UÇK-së, si dhe mos zbatimit të ligjit për veteranët e Luftës Çlirimtare të Kosovës, siç bëri të ditur për Anadolu Agency, Xhevdet Qeriqi.

“Po kalojnë edhe 16 vite dhe veterani i luftës nuk e gëzon asnjë të drejtë. Ne sot po protestojmë me dy pika: publikimi i listave finale, sa më shpejtë dhe zbatimi i ligjit për këto kategori” tha Qeriqi.

Ai me këtë rast shprehu indinjatën e bashkëluftëtarëve të tij që janë lodhur nga pritja e stërzgjatur për definimin e statusit të tyre dhe ka akuzuar rëndë jo seriozitetin e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të veteranit, invalidit, të internuarit dhe pjesëtarit të UÇK-së.

Ai bëri me dije se më herët gjatë vitit, veteranët e UÇK-së janë takuar me kryeministrin Mustafa dhe ai kishte premtuar se buxheti i dedikuar për kategoritë e dalura nga lufta nuk do të preket dhe se është një buxhet i shenjtë, mirëpo informatat që aktualisht ka marr Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve të Luftës së UÇK-së, tregon të kundërtën.

“Për fat keq, kjo ka ndodhur tani, me rishikimin e buxhetit veç 6 milion kanë kaluar diku tjetër. Kam informacione se prapë do të preket ky buxhet deri në fund të vitit, mirëpo një pjesë e veternavëe ende po mashtrohen se deri në fund të këtij viti asnjë pikë e këtij buxheti nuk do të jetë. Krejt do të kalojë diku tjetër sepse Komisioni nuk po arrin t’i përfundojë listat përfundimtare” tha Qeriqi, duke shpjeguar se Ligji për kategoritë e dala nga lufta nuk mund të filloi së zbatuari pa publikimin e listave finale.

Ai akuzoi ish bashkëluftëtarët e tij që tani janë pjesë e Qeverisë se po bëjnë propagandë në terren duke i gënjyer dhe mashtruar veteranët se shumë shpejt do t’i marrin pensionet.

“Unë shumë pak besoj se këtë vit do të ketë benificione për veteranët e luftës” thotë i zhgënjyer ky ish luftëtar i lirisë i pakënaqur me punën e komisionit qeveritar

“Është e pakuptimtë që plot tri vite një komision mos me arrijë të verifikojë veteranatë e luftës. Gjithë e dimë se një vit e diçka ka zgjat lufta kurse tani, tri vite, gjithë ai komision dhe zinxhir komandues nuk po arrijnë t’i verifikojë këta veteranë. Kjo po bëhet qëllimisht dhe politikisht” tha Qeriqi.

Ai paralajmëroi se veteranët e UÇK-së nuk do të ndalen së protestuari, deri në realizimin e kërkesave të tyre, pavarësisht sfidave dhe kërcënimeve që kanë pasur në vazhdimësi. Ai këtë e arsyetoi për faktin se kjo është një kategori e shoqërisë e cila ka sakrifikuar shumë për Kosovën ndërsa sot, veteranët e luftës janë në gjendje të rëndë ekonomike dhe shëndetësore.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave të Veteranëve bëri me dije se bashkëluftëtarët e tij, çdo ditë e më shumë, po kërkojnë nga Këshilli që ta shtojë presionin tek qeveritarët e papërgjegjshëm, ndërsa kanë diskutuar edhe mundësinë që t’iu dërgojnë shteteve mike dhe këshillave për mbrojtjen e drjetave të njeriut nga një letër, të paktën për t’i njoftuar për gjendjen aktuale të veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe mos plotësimin e obligimit ndaj tyre, kur vitin e kaluar u ishin ndarë 10 milionë euro, në marrëveshje me Fondin Monetar Ndërkombëtare, por ato asnjëherë nuk u shpërndanë për ish-pjesëtarët e UÇK-së, përfundoi Qeriqi.

Protesta e radhës, ësthë paralajmëruar përe të hënën dhe indinjata dhe pakënaqësia e ish luftëtarëve të UÇK-së sa vjen e shtohet.

Kjo ka mundur të shihet edhe nga refuzimi i shumicës së veteranëve të UÇK-së për ta ndërprerë protestën e sotme duke kërkuar edhe ndryshim në qasjen e protestimit.

Lajme të ngjashme

Back to top button