Vaksinohen edhe fëmijët e mërgimtarëve

Shëndetësia primare në Komunat Dibër dhe Qendër Zhupë realizohet pa probleme. Si në qytet ashtu edhe në fshatrat mbrojtja shëndetësore mbulohet me mjekët amë në ambulancat të cilat funksionojnë.

Drejtori i Shtëpisë së Shëndetit në Dibër, Lulzim Strikçani, thotë se ky institucion mbulon tërësisht popullatën me mbrojte primare. Sipas tij, 13 mjekë amë realizojnë aktivitetet në këtë sferë së bashku me kujdestaritë që mbahen në ambulancën kryesore të Shtëpisë së Shëndetit në Dibër, njofton “Koha”.

Drejtori Strikçani sqaron se në Dibër ka shtatë mjek amë, kurse në vendbanimet rurale gjashtë.
“Kemi mbuluar tërësisht popullatën si në qytet ashtu edhe në fshatrat të Dibrës dhe Zhupës. Shtëpia e Shëndetit realizon edhe kontrolle mjekësore nëpër shtëpi dhe nëpërmjet ndihmës së shpejtë mbulohen nevojat të të sëmurëve.
Kemi disa ambulanca të cilat aktualisht në disa fshatra më të vegjël nuk funksionojnë, por ata mbulohen me ekipe kujdestare që kanë nga një mjek dhe nga një infermiere. Sa i takon punës së ambulancave në fshatrat e mëdha siç janë fshatrat Mogorç, Kosovrast i Epërm, Kosovrast i Poshtëm dhe Xhepishtë në Komunën Dibër si dhe fshatrat Novak, Broshticë dhe Qendër në komunën Qendër Zhupë, ata realizojnë aktivitetet të përditshme dhe ofrojnë ndihmë shëndetësore primare në çdo moment.

Në Shtëpinë e shëndetit në Dibër, njësia për vaksinim të fëmijëve gjatë sezonit verorë realizohet edhe vaksinimet e fëmijëve të mërgimtarëve. Në këtë njësi informojnë se mbahet evidencë precize edhe për fëmijët e mërgimtarëve. Nëse gjatë pushimeve verore në vendlindje ndonjë nga fëmijët e mërgimtarëve kanë afatet e përcaktuara për vaksinim, atëherë vaksinimi i tyre bëhet pa probleme.

Drejtori Strikçani shton se aktualisht është përforcuar ekipi i mjekëve me qëllim që përveç vaksinimit të fëmijëve të bashkëqytetarëve, të vaksinohen edhe fëmijët e mërgimtarëve. Po në këtë njësi ka të dhëna konkrete dhe sipas nevojave ata jepen për qytetarët të cilët udhëtojnë në shtete të tjera, respektivisht në momente kur realizohet migrimi.

Lajme të ngjashme

Back to top button