Thaçi: Agjenda evropiane e Kosovës në rrugë të mbarë

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha sot se agjenda evropiane e Kosovës është në rrugë të mbarë, pasi që të hënën fillon negocimi zyrtar për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian.

“Tani Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë”, tha Thaçi në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Sa i përket procesit të liberalizimit të vizave Thaçi tha se presin rezultate konkrete në të gjitha blloqet, ”presim që në procesin e ripranimit të rrisim numrin e marrëveshjeve për riatdhesim me shtetet e Bashkimit Evropian, të rajonit si dhe me shtetet e transitit dhe origjinës siç janë Turqia, Afganistani”.

Ai tha se në aspektin e ri-integrimit ju duhet të krijojnë kushte sa më të mira për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, posaçërisht rastet e rënda me nevoja të veçanta shëndetësore, por edhe për komunitetet të cilat kanë nevojë për përkujdesje institucionale.

”Ne duhet gjithashtu fokusuar edhe më tutje në përmirësimin e sigurisë së dokumenteve në nivel komunal, konkretisht zyrat komunale të gjendjes civile duhet të ngritin sigurinë e objekteve, pajisjeve dhe hapësirave ku veprojnë ata. Gjithashtu zyrtarët komunal që janë të angazhuar në këto zyra duhet pa përjashtim ta shfrytëzojnë sistemin e ri të gjendjes civile, përndryshe disa nga këta zyrtarë nuk do të certifikohen dhe atyre zyrave do të ju merret leja e lëshimit të dokumenteve personale”, deklaroi kryeministri.

Sa i përket Menaxhimit të Integruar të Kufirit, Thaçi shpreson që ky të jetë prioritet i të gjithëve dhe të trajtohet si i tillë. ”Shpresoj që nuk do të ketë mungesë të vullnetit, përkushtimit apo financave për të zbatuar MIK-un në kapacitetin e plotë, ashtu siç edhe është e paraparë me ligje dhe strategjisë në fuqi. Në këtë drejtim pres bashkëpunim të plotë të Policisë Kufitare, Doganës, dhe Agjencionit për Ushqim dhe Veterinë si dhe presim rezultate edhe më të mira në luftimin e krimit ndërkufitarë”, deklaroi ai.

Shefi i qeverisë tha se zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave siç është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të institucioneve për zbatimin e ligjeve. ”Për të gjitha këto na nevojitet përkushtim, angazhim dhe veprim i pa kompromis ndaj të gjitha dukurive negative. Ky është një prioritet i tërë shoqërisë tonë dhe jo vetëm i procesit të liberalizimit të vizave, për këtë arsye luftimi i dukurive negativë ka qenë dhe do të mbetet prioritet për të gjithë ne”.

Të gjitha këto por edhe sfida tjera duhet adresuar me seriozitetin më të lartë, pres nga ju që të angazhoni tërë kapacitet e juaja në dispozicion që të arrijmë rezultate të matshme të cilat do të ia prezantojmë përfaqësuesve të shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian, deklaroi kryeministri i vendit.

”Siç e dini të hënën fillon negocimi zyrtarë për MSA. Ky tashmë është motiv shtesë për punë dhe përkushtim edhe me të madh për të gjithë ne. Tani më Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë.
Në këtë drejtim, ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të ofroni përkrahjen e nevojshme për krijimin e parakushteve për të siguruar zbatimin efektiv të agjendës Evropiane për Republikën e Kosovën”.

Ndëraq ministrja e Integrimeve, Vlora Çitaku u fokusua në çështje konkrete për zbatim sa më efikas të planit të veprimit për liberalizim të vizave dhe adresimin e konkluzioneve kryesore nga blloqet përkatëse.

Në fushën e riatdhesimit dhe ri-integrimit, Ministrja Çitaku tha se:”Duhet të përcillen sa më afër zhvillimet rreth riintegrimit të përsonave të riatdhesuar në mënyrë që të ketë monitorim sa më efikas të procesit dhe riintegrimi i tyre në shoqëri do të jetë më i suksesshëm”.

Për bllokun hyrës që është Riatdhesimi dhe Ri-integrimi, u diskutua për Zhvillimin e mëtutjeshëm të sistemit të ripranimit të personave që bëjnë pjesë në grupet e cenueshme si: fëmijët e pashoqëruar, personat e moshuar, personat me sëmundje që nuk trajtohen në Kosovë, si dhe më në detaje u diskutua inicimi i negociimit dhe nënshkrimit të marrëveshjeve të ripranimit me shtetet e origjinës.

Me këtë rast Ministrja Çitaku tha se:” Sfidë e radhës në nënshkrimin e marrëveshjeve për riatdhesim është negocimi i marrëveshjeve me shtete e origjinës dhe transitit. Për këtë arsye na nevojitet që të iniciojmë nënshkrimin e marrëveshjeve me këto shtete dhe të jemi sa më këmbëngulës në këtë drejtim, posaçërisht me ato shtete të cilat e kanë njohur Republikën e Kosovës. Poashtu duhet intensifikuar përpjekjet për negocimin e marrëveshjes për riatdhesim me Turqinë, Afganistanin, Bregun e fildishtë dhe Pakistanin, si dhe fillimin e iniciativave të reja me shtete si Nigeria dhe Libia, por edhe shtete tjera”.

Ndërsa adresimi i konkluzioneve kryesore duke filluar nga blloku i parë që është Siguria e Dokumenteve; u diskutua kontrolli dhe hetimi i rasteve të ndryshimit të të dhënave personale si dhe siguria fizike e zyrave të gjendjes civile në nivel lokal. 

Lajme të ngjashme

Back to top button