Së shpejti katër këngë nga Gena

Ka lënë pas vetës një sezon veror me plot angazhime e përfitime materiale. Por, Gena, këngëtari i shndërruar ‘në të preferuarin e klubeve’, ka vendosur të sfidojë vetën duke sjell për publikun e tij hiq më pas se katër këngë njëherësh…

Është shndërruar në gjenin e klubeve, duke e argëtuar masën që nga këngët e vjetra qytetare e deri tek muzika pop-tallava. Këngëtari nga Shqipëria, Gena Lito, i cili tani për tani është njëri ndër këngëtarët më të kërkuar nëpër ndejat e të rinjve, i është përveshur punës rreth projekteve të reja muzikore.

Këtë e ka bërë të ditur për Tribuna, Enis Fetahu, menaxheri i këngëtarit, sipas të cilit, Gena së shpejti do të vijë me katër këngë të reja të cilat do të jenë të plotësuara edhe me videoklipe.

“Jemi duke punuar në katër këngë të cilat së shpejti do të jenë në duart e publikut. Dy veçse janë realizuar në tërësi edhe me klip. Ndërsa dy tjetra janë të incizuara dhe të gatshme për të ju bërë klipet, të cilat shpresoj që brenda dy javësh do të jenë të gatshme për promovim”. Fetahu ka treguar se videoklipet e këtyre dy këngëve janë bërë jashtë trojeve tona.

“Njërin klip e kemi bërë në Dubai, ndërsa tjetrin në San Torini, në ishullin e njohur të Greqisë. E kemi shfrytëzuar rastin që gjatë pushimeve edhe të punojmë dhe t’i shfrytëzojmë ato bukuri magjepse që i kanë këto dy vende”.

‘Gena nuk e gënjen publikun’

Për dallim nga kolegët e tij, Gena kësaj radhe po sfidon veten duke ardhur me katër këngë të cilat do të lansohen njëherësh. Për këtë Fetahu, ka thënë që ekipi i tyre ka vendosur që këngëtari të vijë ndryshe nga ç’është mësuar publiku deri më sot. “Të gjithë po lansojnë nga një këngë. E ne kemi vendosur ta ndryshojmë pak këtë gjë dhe të dalim në treg me katër këngë menjëherë. Pastaj kjo vjen edhe si pasojë e kërkesave të publikut. Kërkesat e të cilëve janë shumë të mëdha”.

Gena, ka vendosur që dy nga katër këngët që do të sjellë, të jenë duete. “Po dy këngë do të jenë në bashkëpunim. Njëra do të jetë me Xhuli Kuqin, ndërsa tjetra me Baba Tarabuka. Vlen të përmendet që të gjitha këngët do të jenë të stilit të Genës në zhanrin pop-folk”. Menaxheri i këngëtarit nuk ka hezituar që të tregoj se cili është tregu më i fort i tyre, edhe pse thuajse çdo natë janë të angazhuar nëpër vende të ndryshme.

“Gena është konstant i angazhuar nëpër mbrëmje në Shqipëri, Kosovë, ndërsa vikendeve zakonisht jemi jashtë vendit. Edhe pse çdo kund pritja është fantastike do të kisha veçuar që tregu ynë më i fuqishëm është Prishtina, Ferizaj, Gjilani dhe Vushtria. Kisha thënë që në këto vende jena të paprekshëm por pa i përjashtuar edhe vendet tjera ku po arrijmë të bëhemi të paprekshëm”.

“Në mbrëmjet e Genës mund të dëgjohet që nga këngët e lehta, zbavitëse, hitet e tij, e deri tek muzika e jugut. Ka me të vërtetë një repertor të veçantë dhe mendoj që edhe kjo e bën vetë këngëtarin e veçantë dhe të dashur për publikun. Ai nuk e gënjen publikun. Ai këndon ‘live’ gjithnjë për ta”, ka shtuar për fund Fetahu.

Lajme të ngjashme

Back to top button