Fëmijët “kontrabandë” të Palestinës, baballarët vuajnë dënime të gjata në burgjet e Izraelit

Ahmed al-Sokani, një 35-vjeçar, vendas i qytetit të Gazës, këtë javë u bë me binjakë, një djalë i quajtur Motaz dhe një vajzë me emrin Siwar, raporton Anadolu Agency (AA).

Gruaja e Al-Sokanit, Huwayda, kishte përdorur spermën e kontrabanduar nga burri i saj, i cili tashmë 13 vite ndodhet në burgjet izraelite në vuajtje të dënimit 27-vjeçar, për t’u bërë shtatzënë përmes fekondimit in vitro.

Sipas Abdullah Kandil, zëdhënës i shoqatës së të burgosurve dhe shoqatës çlirimtarë, një OJQ palestineze, rreth 50 fëmijë kanë lindur në këtë mënyrë, 10 prej tyre në Rripin e Gazës dhe 40 në Bregun Perëndimor.

Sipas nënës së binjakëve, Huwayda, lindja e Motaz-it dhe Siwar-es paraqet “Mesazhin e fitores” për të gjithë të burgosurit palestinezë në burgjet izraelite.

Duke mbajtur binjakët e porsalindur në Spitalin Al-Quds në Gaza, ajo për Anadolu Agency tha: “Unë nuk mund të gjej fjalë për ta përshkruar gëzimin tim!”

Disa dijetarë muslimanë palestinezë, duke përfshirë edhe Ikrime Sabri, ish-myftiun e madh të Palestinës, dhe Shejh Hamid el-Bitawi, ish-kreu i Lidhjes së Dijetarëve Palestinezë (i cili vdiq në vitin 2012), kanë bërë interpretime ligjore (fetva), duke lejuar gratë që të përdorin spermën e kontrabanduar nga burrat e tyre të burgosur të cilët vuajnë dënime të mëdha në burgjet izraelite.

Muhannad al-Zein ishte fëmija i parë i lindur në këtë mënyrë. Nëna e tij mbajti një fëmijë duke përdorur spermën e kontrabanduar nga burri i saj, Ammar al-Zein, një të burgosuri me dënim shumvjeçar nga Bregu Perëndimor.

Kur u pyet se si ia dolët që të kontrabandoni spermën nga burgjet izraelite, burimi me të cilin AA ka kontaktuar nuk ka dhënë detaje rreth kësaj teme për shkak të arsyeve të sigurisë.

Sipas një studimi të fundit të kryer nga Qendra për Studime të të Burgosurve, një OJQ palestineze, rreth 7.000 palestinezë janë duke u mbajtur në burgjet në të gjithë shtetin e vetëshpallur hebraik.

Lajme të ngjashme

Back to top button