New York, qindra hebrenj protestojnë kundër marrëveshjes me Iranin

Rreth 1.500 qytetarë, kryesisht hebrenj, janë mbledhur në Times Square në New York për të kërkuar nga Kongresi amerikan të mos e pranojnë marrëveshjen mes Iranit me vendet e grupit P5+1, rreth çështjes së programit bërthamor të Iranit, raporton Anadolu Agency (AA).

Protesta e simpatizuesve të Izraelit është organizuar nën moton “Ndaloni Iranin”. Ata i bënë thirrje Kongresit amerikan të mos e pranojnë marrëveshjen e arritur në Vjenë ndërmjet Iranit dhe grupit P5+1

Protestuesit bartnin parulla si “mos i besoni Iranit” dhe “jo bërthamoreve për Iranin”. Në protestë morën pjesë rreth 20 politikanë, akademikë dhe gazetarë, në mesin e të cilëve edhe ish-guvernatori i New Yorkut, George Pataki, si dhe ish-presidenti i Komitetit të Inteligjencës në Dhomën e Përfaqësuesve, Pete Hoekstra.

Një nga organizatorët e protestës, Jeffrey Wiesdenfeld, ka thënë se në qëllim të refuzimit të marrëveshjes me Iranin është kryer një fushatë 60-ditëshe në mbarë vendin.

Megjithatë, grupi i hebrenjve antisionist ortodoks gjithashtu u mblodh për të shprehur mbështetjen e tyre rreth marrëveshjes me Iranin. Ata në Sheshin “Times” erdhën me flamujt iranian, dhe për këtë ishin të ekspozuar ndaj sulmeve verbale të simpatizuesve të Izraelit.

“Izraeli bën gjithçka për të prishur marrëveshjen të cilën e kërkuan shumë popujt”, ka thënë rabini Dovid Feldman.

Duke vënë në dukje se Izraeli nuk mund të përfaqësojë të gjithë hebrenjtë, Feldman tha se është hipokrite që Izraeli shpreh shqetësimin për shkak të raketave bërthamore të Iranit, ndërkohë që ai vetë posedon një numër të madh të mbushjeve bërthamore.

Departamenti amerikan i Shtetit në fillim të kësaj jave marrëveshjen me Iranin ia ka dërguar Kongresit i cili ka afat 60-ditor për t’u shprehur lidhur me këtë marrëveshje. Duke pasur parasysh se Kongresin e udhëheqin Republikanët mund të ndodhë që të miratohet rezoluta për shfuqizimin e marrëveshjes, ndaj të cilit presidenti amerikan Barack Obama mund të vendosë veton. Vetoja e tij duhet të dërgohet më pas Senatit, të cilit i duhet dy e treta e votave për të mbivotuar veton.

Lajme të ngjashme

Back to top button