DW: Grupet punuese u takuan, por a do të bisedojnë në mënyrë konstruktive?

Prokurori special dukshëm po i “udhëheq” bisedimet për impementimin e marrëveshjes nga Przhino. Një pjesë e ekspertëve janë skeptikë në sinqeritetin e kundërshtarëve politikë dhe nuk shohin vullnet politik për konstruktivitet, raporton dw.com.

Sipas ekspertëve, ajo që realisht ndodh në terren dhe ajo që i servohet publikut është krejtësisht e ndryshme, që tani për tani nuk jep optimizëm se punët do të shkojnë sipas marrëveshjes.

“Shihet se nuk kanë as ide e aq më pak njohuri, kapacitet dhe vullnet politik për dalje nga kriza në të cilën ata na kanë sjellur. Është e patolerueshme që secili në mënyrën e vetë, për shkak të llogarive personale të punojë në rrënimin, respektivisht mosrealizimin e marrëveshjes. Për kushedi për të satën herë me radhë po vërtetohet qëndrimi im se nuk mundet që ata që na sollën në këtë krizë tani të shfaqin interesim dhe të paraqiten në rolin e heronjve. Puna që nga fillimi u hodh anash dhe tani vështirë mund të zgjidhet pa shtypje të fuqishme dhe serioze nga ana e bashkësisë ndërkombëtare. Këtë e them për faktin se Marrëveshja e Marsit u bë letër faculete, e tani marrëveshja nga Przhino lehtë mund të konsiderohet si letër tualeti. Problemi kryesor qëndron në atë se në vend që të theksohen reformat dhe të lihet një periudhë më e gjatë për realizimin e të njejtave, prioritet i është dhënë zgjedhjeve, respektivisht datës së zgjedhjeve që duhet të mbahen për kohë shumë të shkurtër. Pra, reformat për të gjithë pjesëmarrësit në bisedime kanë rëndësi dytësore. Filozofia është ‘le të fillojë diçka të punohet në sferën e reformave, e ku të arrijë, le të arrijë’. E rëndësishme është që ai që do të humb në zgjedhje të zgjat dorën dhe të pranojë se ka pasur zgjedhje fer. Gjithçka tjetër ka rëndësi të shkallës së dytë, përfshirë këtu edeh reformat. Me këtë qasje joserioze dhe jo të sinqertë ndaj marrëveshjes, partitë politike aktuale qartë lënë të kuptohet se më të rëndësishme u janë interesat personale dhe partiake, sesa interesat nacionale dhe shoqërore. Jam më se i sigurt se së shpejti do të shohim të gjitha instrumentet dhe teknikat e mundshme për pengimin e realizimit të Marrëveshjes nga Przhino”-komentoi profesori universitar Jove Kekenovski.

 

Nëse gjykohet në bazë të reagimeve publike, shihet se prokurori publik dhe jo KSHZ-ja e listat zgjedhore, marrin rëndësi primare. Sipas LDSM-së dhe deklaratës së mbrëmshme të Radmila Sheqerinskës, prokurori special është çelëzi për zgjedhje të rregullta në prill. Kushti është që ai t’i procesojë dhe t’i zgjidh të gjitha veprat kriminale, për të cilat publiku dëgjoi përmes bisedave telefonike, duke përfshirë edhe ato të kryeministrit, Nikolla Gruevski.

 

Ndërsa sipas profesorit universitar, Aleksandar Dashtevski, opozita po e sulmon pozitën sepse nuk ka armë tjetër dhe kjo është strategji për të fituar kohë derisa të zgjidhen pakënaqësitë brendapartiake. “Vlerësoj se është e gabuar kjo strategji, të nënshkruash diçka e pastaj të thuash ‘jo bëmë shaka’. Bashkësia ndërkombëtare është shumë serioze dhe nuk ka lojëra, ajo do të shkojë deri në fund dhe do të jetë rigoroze ndaj të gjithë atyre që do të tentojnë ta bllokojnë procesin. Kështu do të bëhet edhe me këto çështje, dy ditët e fundit pretendohet se prokurori publik duhet të jetë nga radha e tyre dhe ta akuzojë kryeministrin dhe një numër të madh nga pushteti, të cilët nuk do të kenë të drejtë as të paraqiten në zgjedhje si kandidatë, që është në kundërshtim me marrëveshjen në Bruksel dhe atë në Przhino.”

Sipas tij, një gjë është e qartë: nuk ka kohë për të humbur, në atë që ka porositur Brukseli. Deri në afatin e dhënë, 31 korrik të ndryshohet përbërja e KSHZ-së, e cila deri në 30 shtator duhet të fitojë fuqi edhe më të mëdha për të siguruar zgjedhje fer dhe të lira./Portalb.mk

 

 

 

Lajme të ngjashme

Back to top button