Ahmeti e quan historike marrëveshjen

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në një intervistë për programin “Zigzag” të Televizionit Art të Tetovës, ka folur mbrëmë për marrëveshjen, me ndërmjetësim ndërkombëtar, të firmosur nga katër liderët e partive politike në Maqedoni.

Me këtë rast Ahmeti ka vlerësuar rolin vendimtar të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

“Mund të quhet lirisht një marrëveshje me peshë të rëndësishme, po pse të mos thuhet edhe historike, sepse për vendin hapet një kapitull i ri për rregullimin e shumë çështjeve që mbase edhe më herët kanë kërkuar zgjidhje, por ka pasur hezitime nga njëra apo tjetra palë”.

“Ta zëmë, shumë e leverdishme dhe demokratike për vendin është që tre muaj para zgjedhjeve, kryeministri i cili është edhe kryetar partie, të japë dorëheqje dhe të garojë si i barabartë në mesin e të barabartëve. Ky moment parashihet në këtë marrëveshje që ne e kemi firmosur”, tha Ahmeti duke saktësuar se ky përcaktim tash e tutje do të bëhet rregull.

I pyetur, se sa janë të vërteta spekulimet se në raundin e dështuar të Brukselit, ka mbajtur anën e Gruevski, karshi Zaevit, Ahmeti ka thënë se nuk është e vërtetë se ka mbajtur anë.

“Nuk është e vërtetë që unë kam mbajtur anë, as në Bruksel, as në Shkup. Unë nuk kam dashur dhe këtë ua kam thënë shumë hapur edhe Gruevskit, edhe Zaevit, nuk dua të poshtërohet kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Gruevski, por nuk dua as që të denigrohet lideri i opozitës. Unë në këto negociata, në këto takime, vërtetë kam shkuar i çliruar, pa ngarkesa dhe gjithmonë pozita ime ka qenë, duke parë pozitat e tyre, dhe kjo ka qenë pikënisja ime, të ndihmoj të dyja palët që ta tejkalojnë veten dhe në plan të parë të vendosin interesat shtetërore dhe në plan të dytë interesat partiake”.

“Sepse, nëse degradon shteti është shumë vështirë të rikuperohet, të rigjenerohet. Sepse, nëse humb partia ajo mund të fitojë në zgjedhjet pasuese që vijnë, kurse me shtetin kjo është shumë vështirë”, deklaroi lideri i BDI-së”.

Duke komentuar riformatimin e Qeverisë, Ahmeti, në intervistë shpjegon se BDI, VMRO e LSDM do e përbëjnë atë, por jo edhe PDSH-ja.

“Thaçi e tha shumë hapur dhe me kompetencë në negociata se PDSH nuk do të jetë pjesë e Republikës së Maqedonisë dhe Thaçi u tregua shumë konstruktiv duke tërhequr vërejtjen që absolutisht të mos bëhen llogari në hisen e shqiptarëve duke sqaruar se dikasteret që ka BDI përfaqësojnë të gjithë shqiptarët”, ka thënë kreu i BDI-së”.

Lajme të ngjashme

Back to top button