Fitër Bajrami festohet në Maqedoni dhe botën islame, gëzuar!

Myslimanët në Republikën e Maqedonisë si dhe e tërë bota islame, sot e feston Fitër Bajramin. Bajrami është ditë e festimeve dhe falënderimeve ndaj Allahut. Fitër Bajrami shënon përfundimin e agjërimit të muajit të Ramazanit dhe është dita e parë e muajit Shaual. Shumica e myslimanëve e festojnë këtë Bajram të paktën 3 ditë.

Manifestimi qendror i Fitër Bajramit do të organizohet në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup. Në orën 4:29 të mëngjesit u fal namazi i sabahut, kurse namazi i Bajramit u fal në ora 05.44.

Gjatë muajit të Ramazanit çdo mysliman  e ka për detyrim të japë sadakatul-fitrin. Fitri duhet të jepet para se të falet namazi i Bajramit, e nëse ndonjërit i kalon ajo kohë, atëherë ai sërish obligohet ta japë atë si kompensim.

Bajrami është dita kur takohet forca e të pasurit me dobësinë e të varfërit në dashuri, mëshirë dhe drejtësi nga shpallja e qiellit, titulli i të cilës është zekati, bamirësia dhe lehtësimi, është dita kur gëzohen fëmijët duke luajtur dhe duke u argëtuar, dita kur gëzohen të varfërit duke iu lehtësuar jeta dhe duke shijuar komoditet, dita kur farefisi takohen në bamirësi dhe kujdes për njëri-tjetrin, dita kur muslimanët bashkohen në falje dhe vizita reciproke, dita kur miqtë i ripërtërinë urat e dashurisë dhe elementet e afërsisë, dita kur shpirti fisnik i harron gabimet e të tjerëve ndaj tij, bashkohet pas ndarjes, pastrohet pas përnjollosjes dhe e përshëndet pas injorimit.

Kryetari i Bashkësisë Islame të Maqedonisë, Reis ul Ulema H.Sulejman ef. Rexhepi me rastin e festës së Fitër Bajramit i dërgoi mesazh myslimanëve në Republikën e Maqedonisë.

“Muaji i Ramazanit është përplot me shembuj të ndritshëm që na ndihmojnë për të arritur një shkallë sa më të lartë të devotshmërisë. Po e përcjllim me dhembshuri Muajin e Ramazanit, kurse nesër kemi Festën e Bajramit, festw kjo që shpreh kënaqësinë tonë të të qenurit mysliman, besimtarë të fesë islame, manifeston krenarinë tonë si dhe falënderimet më të sinqerta drejtuar Allahut Fuqiplotë që na e mundësoi ta përjetojmë tërë atë varg kënaqësishë që arrihen vetëm gjatë këtij Muaji!” tha mes tjerash në urimin e tij, Rexhepi.

Urime kanë dërguar edhe liderët politik në Maqedoni, Kosovë e Shqipëri.

Redaksia e Portalb.mk të gjithë besimtarëve ua uron festën e madhe të Fitër Bajramit. Zoti ua pranoftë agjërimin dhe lutjet. Me shëndet!

Lajme të ngjashme

Back to top button