Prishtinasit të fortë edhe për bullgarët (Video)

Sigal Prishtina ka shënuar edhe fitoren e dytë në Balkan Leaguen e basketbollit.
Pasi mposhti javën e kaluar ekipin maqedonas të Kumanovës, kësaj radhe viktimë e ‘kaltërebardhëve’ ishte skuadra bullgare Balkan.

Prishtinasit para shikuesve të vetë në “Pallatin e Rinisë” nuk ishin aspak të mëshirshëm ndaj bullgarëve duke i mposhtur me rezultat të thellë prej 89:71.

Qysh në pjesën e parë ‘plisat’ treguan se janë favoritë absolut në këtë ballafaqim, duke e përmbyllur me epërsi të thellë prej 18-të pikësh, 53:35. Ndërsa çereku i parë përfundoi në dobi të ekipit tonë me rezultat prej 33:13.
Edhe në pjesën e dytë basketbollistët e Sigal Prishtinës vazhduan me mbrojtje të fortë dhe sulme efikase.

Çereku i tretë ishte pothuajse i barabartë, pasi që prishtinasit këtë periudhë e përfunduan në dobi të tyre me rezultat prej 70:49.
Në çerekun e fundit skuadra bullgare totalisht u dorëzua para ‘uraganit’ prishtinas, duke përfunduar ndeshjen me rezultat prej 89:71.

Vlen të theksohet se lojtari i ndeshjes tek Sigal Prishtina ishte Dardan Berisha, i cili shënoi 24 pikë, shtatë kërcime, dy asistime dhe po aq topa të vjedhura.
Pas kësaj fitoreje, Sigal Prishtina mbetet ende lider i Balkan League me katër pikë, ndërsa Balkan zë vendin e shtatë me dy pikë.

Lajme të ngjashme

Back to top button