Kështu hamë sheqer pa e ditur fare

Sheqeri është gjithnjë e më i njohur për të keq. Shumë avokues të jetesës së shëndetshme avokojnë për largimin e tij të plotë nga dieta. Megjithatë, sheqernat cilësorë në sasi të vogla janë të nevojshëm për organizmin, ashtu si edhe përbërësit e tjerë. Sipas mjekësisë tradicionale kineze, shija e ëmbël është po aq e rëndësishme sa edhe katër shijet e tjera për ta mbajtur ekuilibrin në organizëm.

Megjithatë, problemi lind në qoftë se pa atë shije nuk mundemi dhe nëse ajo është e pranishme çdo ditë në dietë. Nga fëmijëria e hershme ne e përjetojmë atë si një shpërblim, dhe shumë prej nesh vërtet “bien në krizë”, nëse çdo ditë nuk hanë diçka të ëmbël.

E hamë atë, dhe as që e dimë
Pikërisht këtë dobësi tonën e kanë vërejtur shumë kompani multinacionale duke na ofruar një shumëllojshmëri të produkteve në të cilat rolin kyç e ka pikërisht sheqeri. Ai pastaj bashkohet me shumë aditivë dhe yndyrna të këqija, fatale për shëndetin. Atë do ta gjeni edhe aty ku nuk e prisni. Ai është, për shembull, në keçap, salcë për makarona, në bukë, në gjellë të gatshme, madje edhe në salsiçe dhe mish të ftohtë, në përzierjet e drithërave dhe supat e gatshme.

Me të hapur të frigoriferit mesatar mund ta gjeni atë në salmonin e paketuar, në mocarela dhe madje edhe në ushqimin për qen. Nëse i shikoni shkrimet për ushqimet e gatshme, edhe ju do ta gjeni atë në shumicën e produkteve të rafinuara. Duke e ngrënë atë, dhe atë pa e ditur, ne e mësojmë veten me shijen e tij dhe pastaj vështirë e largojmë, kështu që e konsumojmë në sasi të tepërta të cilat janë jashtëzakonisht të dëmshme për organizmin.

Çfarë është sheqeri?
Me këtë term e nënkuptojmë saharozën, molekulën e përbërë nga dy pjesë – nga glukoza dhe fruktoza. Glukoza është sheqeri që udhëton për në tru dhe e ushqen atë, ndërsa fruktoza shkon në mëlçi. Saharoza përfitohet me ekstraktimin nga panxharsheqeri dhe kallamsheqeri.

Saharoza, prandaj, në formën e vet origjinale, nuk është asgjë pos një shkop i fortë të cilin vështirë se do ta konsumonim, dhe akoma më vështirë do të ëmbëlsoheshim sikur me heqjen e fibrave bimore, ose procesin e rafinimit, nuk do të fitohej sheqeri kristal. Në këtë sheqer të bardhë pa ndonjë ngarkesë të pigmenteve bimore ose mineraleve mund të mësohemi si me drogë.

Përzgjedhja e dobët e ushqimit çon në sëmundje
Sheqeri në industrinë agro-ushqimore shtohet në sasi gjithnjë e më të mëdha në produkte. Statistikat tregojnë se që nga vitet ‘60 të shekullit të kaluar e deri në ditët e sotme, paralelisht me rritjen e konsumit të sheqerit është rritur edhe incidenca e kancerit, diabetit, sëmundjes së zemrës dhe trashësisë. Endokrinologu i njohur botëror, Robert Lustig, nga Universiteti i Kalifornisë, pohon se konsumi i sheqerit është madje 1000 herë më përgjegjës për këtë sëmundje se sa konsumi i yndyrës, i cili në dekadat e fundit është fajësuar për epideminë e obesitetit.

Hulumtimet angleze tregojnë se personi mesatar, dhe për pjesën më të madhe pa vetëdije, çdo javë në organizëm fut 238 lugë të vogla me sheqer, gjë që e shpjegon trendin në rritje të obesitetit në botë.

Sindroma metabolike, sulmi në zemër…
Ritmi i shpejtë i jetesës i ndryshon edhe shprehitë tona të ngrënies dhe të gjithë, pak a shumë, marrim tepër karbohidrate të thjeshta të cilat lirojnë shumë sheqer në gjak. Por me shprehi të tilla pankreasi, i cili vazhdimisht prodhon insulinë për ta “pastruar” sheqerin e tepërt në gjak, fillon të shpenzojë më shumë, transmeton Koha.net. Më nuk është aq i fortë që ta furnizojë trupin me një sasi të mjaftueshme të insulinës prandaj sheqeri i tepërt qëndron në gjak ndërsa qelizat bëhen rezistuese ndaj veprimit të insulinës. Ky proces mund të çojë në sindromën metabolike, diabet, sulm në zemër ose goditje në tru. Kjo mund të tingëllojë ashpër, por zgjedhjet tona ushqimore mund të na vrasin.

Sindroma metabolike nuk është sëmundje, por një gjendje që përfshin një numër të faktorëve shëndetësorë me rrezik të lartë, duke përfshirë trashjen rreth belit, shtypjen e lartë të gjakut, nivelet e larta të kolesterinës LDL, ndërsa e redukton nivelin e kolesterinës së mirë HDL dhe e ngre nivelin e sheqerit në gjak. Në zhvillimin e këtyre çrregullimeve kontribuon zgjedhja e dobët e ushqimit, sidomos të ngopura me yndyra dhe sheqerna. Personat me sindromën metabolike kanë dy herë rrezik më të madh nga vdekja për shkak të sëmundjeve të zemrës, dhe tri herë rrezik më të madh nga goditja në tru dhe infarkti.

Lajme të ngjashme

Back to top button