Shkup, mbahet konferenca përfundimtare e projektit “Rrjeti 23”

Instituti për Politikë Evropiane – Shkup (EPI) në bashkëpunim me Komitetin e Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë dhe Qendrën për Menaxhimin me Ndryshime – Shkup, organizuan në Shkup  konferencën përfundimtare të projektit “Rrjeti 23”. Projekti u realizua në kuadër të programit IPA-2013 (Instrumenti për asistencë të Para-Anëtarësimit) për të mbështetur organizat e shoqërisë civile, raporton Anadolu Agency (AA).

Qëllimi i konferencës është prezantimi zyrtar i “Rrjetit 23”, organizatave të shoqërisë civile të cilat në mënyrë aktive kanë qenë të përfshira në monitorimin dhe vlerësimin e politikave, që rrjedhin nga Kapitulli 23 – gjyqësori dhe të drejtat themelore për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

b57f5698b0c7847d16f3f68b1bb13520204e6c99d780738c28c36963343e19ec

Drejtoresha e Projektit “Rrjeti 23”, Malinka Ristevska-Jordanova, në fjalën e saj theksoi se sipas hulumtimeve dhe diskutimeve të bëra me palët e interesuara, mënyra e zgjedhjes dhe emërimit në Gjykatën Publike në Republikën e Maqedonisë nuk i plotëson standardet demokratike. Për arsye siç tha ajo, punohet përmes një formalizmi dhe jo përmes cilësisë, andaj sipas saj duhet që këto mënyra të ndryshohen sa më shpejtë.

“Maqedonia mund të lavdërohet në numrin e madh të ligjeve të miratuara në këtë fushë. Për çdo vit ka aktivitet të këtillë intensiv ligjëdhënës. Edhe hulumtimet tona tregojnë se këta ligje ngelin në nivelin e ashtuquajtur guackë e zbrazur. Pra, sipas indikatorëve ka shumë pak ligje të miratuara. Qeveria duhet të dorëzojë një raport se sa ligje me indikatorë të qartë janë miratuar në pesë, gjashtë apo dhjetë vite dhe çfar kanë sjellë në praktikë si të tilla”, deklaroi Ristevska-Jordanova.

Nga ana tjetër, kryetarja e Komisionit për çështje evropiane në Kuvendin e Maqedonisë, Ermira Mehmeti, theksoi se shoqëria civile punon dhe dialogun, duke u përpjekur që të mbajtë të gjallë procesin për të ndërtuar një Maqedoni evropiane, demokratike, multietnike dhe sa më shpejtë pjesë të familjes evropiane.

Sipas Mehmetit, në mungesë të opozitës maqedonase në Parlament opinioni ka qenë kritik ndaj qasjes së Parlamentit, por sipas saj është përgjegjësi e të gjithëve që t’i bëjnë thirrje publike opozitës deri tek opozita për tu kthyer në Parlament, pasi që për momentin roli i Kuvendit është i zbehur dhe gjendet në kritika të përhershme.

“Të gjejë mënyrën se si do të rikthehet në Kuvend si institucion ligjvënës, të rivendosim dialogun politik në këtë institucion, sepse aty duhet të ndërtojmë forumin e shkëmbimit të argumenteve dhe të themi vërejtjet, kritikat, idetë, sugjerimet, propozimet, e kështu me radhë”, tha kryetarja e Komisionit për çështje evropiane, Ermira Mehmeti.

Drejtoresha e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut, Uranija Pirovska, theksoi se këtë projekt e sheh si një qenie që frymëzon të gjithë aktorët në procesin e integrimit. “Kur bëhet fjalë për të drejtat e njeriut këtu nuk ka kompromis”, u shpreh ajo.

Ndërkohë këshilltari i Delegacionit të BE-së në Maqedoni, Robert Lidell, theksoi se Europa ndodhet në një periudhë shumë të vështirë, Bashkimi Evropian përballet me kohëra të vështira, mirëpo duhet të ecim përpara dhe t’i përmirësojmë punët. “Unë tani jam në fund të mandatit tim në këtë shtet dhe jam i dëshpëruar dhe i zhgënjyer. Puna ime është në ndikimin e zgjerimit të BE-së por nuk e arritëm këtë gjë. Besoj që ai që do të më trashëgojë, pasaardhësi im do të ketë tepër sukses në realizim të këtij procesi”, deklaroi Lidell.

Lidhur me rëndësinë e Kapitullit 23, në suaza të projekti “Rrjeti 23” u prezantua në publik baza e të dhënave MERC 23 (www.merc.org.mk), e cila mundëson kategorizim dhe përfaqësim struktural të dokumentacionit ekzistues në shtet dhe Bashkim Evropian për Kapitullin 23 – gjyqësori, antikorrupsioni dhe të drejtat themelore.

Ndryshe, misioni i EPI-t synon që nëpërmjet hulumtimeve të cilësisë së lartë dhe rekomandimeve për politika evropiane, të ofrojë bazë solide për debate, duke afruar dhe ballafaquar përfshirjen e politikë-bërësve dhe publikut më të gjerë.

Lajme të ngjashme

Back to top button