Zbulohen arsyet e vrasjes së kandidatit të AAK-së

Zbardhen informacione të reja mbi vrasjen e kandidatit të AAK-së për asamble të Skenderajt, Bekim Birinxhiku.

Sipas gazetës kosovare “Zëri”, polici V.G që dyshohet si autor i vrasjes e humbi karrierën për një konflikt që nuk ishte fare i tij, ndërsa bashkëshortja e policit është në pritje të fëmijës së parë, pas martesës në verë të këtij viti. 

Disa nga qytetarët që e njihnin Bekim Birinxhikun edhe policin V.G i përshkruajnë si njerëz të mirë, ndërsa fajin kryesisht për ngjarjen ja lënë miqve të policit të cilët kishin marrë borxh dru nga Birinxhiku, material që ata asnjëherë nuk e kanë paguar.

“Bekimi është marrë me shitjen e druve, ndërsa miqtë e policit i patën marrë dru për ndërtimin e kolovajzave në shtëpi, për fëmijët e tyre. Vlera e drruve shkon deri në 800 euro. Kjo shumë asnjëherë Bekimit nuk i është paguar”, ka thënë në kushte anonimiteti një i afërm i familjes së policit V.G.

Kurse nga ana tjetër një dëshmitarë rasti i cili pa ngjarjen në tërësi, situatën e shpjegon kështu:

“Gjatë përleshjes, viktima, e ka nxjerr një shufër hekuri prej veturës së tij edhe e ka goditur policin. Nga çka pashë, atij ju thyer dora. Më pas polici e ka nxjerr revolen edhe e ka qëllu viktimën”, ka thënë F.H. dëshmitar i ngjarjes.

Zëdhënës rajonal i PK-së, në Skenderaj, Avni Zahiti  ka konfirmuar se i dyshuari për vrasjen e Bekim Birinxhikun, polici, V.G. tashmë gjendet në spitalin rajonal, për shkak të lëndimeve që ka marrë nga viktima.

Sipas, tij, polici V.G. është i lënduar në dorë me një mjetë të fortë.

“Pasi që e kemi arrestuar, pjesëtarin e policisë V.G. ka qenë evidente lëndimi i tij në dorë dhe nevoja për intervenim mjekësorë. Këtë e ka kërkuar edhe vet i arrestuari dhe ne e kemi dërguar atë në spital. Ai aktualisht gjendet në spital dhe është nën përkujdesjen e Policisë së Kosovës”, ka thënë Zahiti. 

Ai nuk ka mundur të konfirmojë se si edhe si ka ardhur deri te rrahja, apo me çfarë mjeti është goditur polici apo kush e ka filluar i pari. Mirëpo e tëra që dihet për momentin është fakti se pas rrahjes, ka mbetur i vrarë Bekim Birinxhiku si dhe i lënduar i dyshuari për këtë vepër./ Zeri

Lajme të ngjashme

Back to top button