Vriten dy turistë çekë në Shkodër

Dy turistë çekë janë vrarë mbrëmë rreth orës 20:00 në Prekal, në rrugën kryesore që të çon drejt Shkodrës.

Një djalë, Mikael Svatos 27 – vjeç dhe një vajzë, Ana Kosinova, 36 – vjeç janë qëlluar me automatik në makinën e tyre.

Ata po udhëtonin me një makinë tip Land Rover me targa çeke. Në automjet u gjet një automatik, ndërsa jashtë tij, rreth 30 metra larg, u gjet një krëhër dhe dy gëzhoja.

Policia tha se grupi hetimor dyshon se njëri nga autorët mund të ketë qenë duke udhëtuar me viktimat.

Në drejtim të vendngjarjes u nisën mbrëmë dy Nëndrejtorët e Përgjithshëm të Policisë Ardian Çipa dhe Altin Qato, si dhe grupet e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë. Deri tani, pavarësisht kërkimeve, nuk ka gjurmë të autorëve.

Ky është rasti i dytë ku në territorin e Shkodrës humbin jetën turistë nga Çekia. Në vitin 2001, tre turistë nga ky vend, u zhdukën pa lënë gjurmë.

Lajme të ngjashme

Back to top button