Ndalimi i zyrtarëve serbë, Zhbogar kritikon Thaçin

Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës për ndalimin e vizitave të zyrtarëve serbë, nuk është pozitiv.

“Mendoj se është e tepërt të ndalohen të gjitha vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë, gjatë zgjedhjeve, pasi e dimë se është në interesin e gjithëve që në këto zgjedhje pjesëmarrja të jetë sa më e madhe. Në këtë kuptim, është me rëndësi që të vijnë zyrtarët serbë që t’u shpjegojnë njerëzve se çfarë do të ndodhë me shëndetësinë, me arsimin, a do ta humbin punën ose jo, posaçërisht në veri ka shumë pyetje të cilat ende nuk kanë përgjegje”,-ka thënë ai.

Duke komentuar paralajmërimin e Beogradit se vendimi i Qeverisë së Kosovës mund të rrezikojë dialogun e Beogradit dhe Prishtinës, Zhbogar thotë se në këtë mënyrë edhe Beogradi tregon nervozizmin e tij. “Mendoj se duhet të ulim pak tensionet dhe të mendojmë e të gjejmë zgjidhje”,-është shprehur ai, bën të ditur “RTK”. /albeu http://www.albeu.com/kosove/ndalimi-i-zyrtareve-serbe-zhbogar-kritikon-thacin/127319/

Lajme të ngjashme

Back to top button