Obama: Wall Street ka të drejtë që shqetësohet

Presidenti amerikan, Barack Obama, në një intervistë të dhënë për rrjetin amerikan CNBC, ka deklaruar se në këtë situatë të ngërçit politik, Wall Street me të drejtë duhet të shqetësohet.

Sipas Obamës, një fraksion i Republikanëve konservatorë po përpiqen të lejojnë falimentin e vendit për shkak të borxheve. Bisedimet kanë nisur tashmë mes presidentit Obama dhe liderëve të Kongresit, në mbrëmjen e së Mërkurës dhe pritet që të ketë edhe takime të tjera. Në intervistën e tij për CNBC, Obama tha se ishte i irrituar për shkak të krizës buxhetore që ka shpërthyer në Washington që nga dita e Hënë, ndërsa një krizë tjetër, akoma më shumë e rrezikshme, pritet të shpërthejë në javët e ardhshme ku deri në datën 17 Tetor duhet të rritet tavani i borxhit, në të kundërt SHBA do të përballet me një falimentim të paprecedent të borxhit.

Mbyllja e qeverisë ka lënë mbi 700 mijë punonjës me pushime të pacaktuara dhe të papaguara, si dhe mbylli parqet kombëtare, vendet turistike, faqet e internetit të qeverisë, ndërtesat qeveritare dhe shumë të tjera. Gjatë ditës së Mërkurë Presidenti Obama u takua me shefat ekzekutivë të disa prej bankave më të mëdha të “Wall Street”-it, përfshi këtu “JPMorgan Chase”, “Goldman Sachs” dhe “Bank of America”, për të diskutuar tavanin e borxhit dhe disa çështje të tjera ekonomike. Ndërsa në mbrëmje Obama u takua edhe me liderët e forcave politike në Kongres. Pas takimit, Obama tha për CNBC se “është e rëndësishme për ta pranojmë se, dështimi në rritjen e tavanit të borxhit do të ketë një impakt të thellë në ekonominë tonë dhe në linjat e tyre të poshtme”.

Obama tha gjithashtu se nuk dëshiron të negociojë “me krahun ekstremist të ndonjë partie”, edhe pse afati përfundimtar i 17 tetorit po afron. “Mesazhi që unë kam për liderët e Kongresit është se, sa më shpejt të kemi një pjesë të qartë të legjislacionit që rihap qeverinë, deri sa të arrijmë këtë gjë, deri sa ne të jemi të sigurt se Kongresi do të lejojë Departamentin e Thesarit të paguajë faturat, ne nuk do të ulemi në asnjë seri negociatash”, tha Obama. Në mbrëmjen e së Mërkurës Obama u takua me kreun republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner, liderin republikan të Senatit, Mitch McConnell, liderin e shumicës demokrate të Senatit Harry Reid dhe lideren e minorancës së Dhomës, Nancy Pelosi.

Lajme të ngjashme

Back to top button