Skandal! Ministria e Arsimit e papërgjegjshme dhe injoruese!

Tani më disa vite shkolla fillore “Liman Kaba” në Lubeten ballafaqohet me hapësirë të pamjaftueshme dhe me kushte të mjerueshme për të gjithë ata nxënës që ndjekin mësimin në këtë shkollë.

Drejtori i kësaj shkolle, Xhezmi Abdyrramani thotë për Portalb që disa herë është kërkuar rikonstruimi i kësaj shkolle nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) mirëpo nga ky institucion u kthehet përgjigje e çuditshme.

“Ne disa herë kemi bë kërkesë për rikosntruimin e shkollës tonë e cila është në gjendje të mjerueshme, kurse nga MASH na vjen përgjigje më 17 qershor, që asgjë nuk është ndërmarrë nga shkolla jonë për këtë çështje. Nuk e kuptojmë se çka duhet të ndërmarrim neve si shkollë? Ne ju kemi njoftuar për gjendjen momentale dhe kemi kërkuar rikonstruim, ku mbetën njoftimet e kërkesat tona?”, thotë Abdyrramani.

Ai shtoi se shkolla ka nevojë urgjente për ndryshimin e çatisë, ndërrimin e dyshemesë e cila është në gjendje të tmerrshme, dritaret e kësaj shkolle datojnë që nga viti 1963 kur edhe është ndërtuar shkolla, dyert e klasa nuk mbyllen, dhe shumë gjëra tjera.

“Kemi shum gjëra për të rregullur dhe e kemi njoftuar MASH për secilën prej tyre. Disa her inspeksioni na ka tërhequr vërejtjen se në këto klasa nuk mund të mësojnë nxënësit. Çka të bëjmë ne ministër që të ju të reagoni? Asgjë deri më tani nuk është ndërmarrë kemi fakte dhe argumente që asnjëherë asgjë nuk është investuar në këtë shkollë nga ana e MASH-it”, shton Abdyrrahmani.

Ministria e Adylaqim Ademit nuk e sheh të arsyeshme të prononcohet

Ndërkaq nga MASH vazhdojnë të mos i përgjigjen pyetjeve të redaksisë Portalb, për tema të ndryshme në sferën e arsimit, duke pasur parasysh që ka probleme nga më të ndryshmeve në këtë fushë që i ndjekim vazhdimisht.

Sipas parimeve të gazetarisë profesionale redaksia jonë për çdo temë ku kërkohet përgjegjësi nga dikasteri i udhëhequr nga Abdilaqim Ademi e kërkon të njëjtën nga ata por një kohë të gjatë tani MASH ka një sjellje të papërgjegjshme.

Ata arsyetohen me pretekst se janë në pauzë, kërkojnë të ju shkruajmë mail – të cilit nuk i përgjigjen fare, si dhe me mos hapje të telefonatës të bërë nga gazetarët.

Megjithatë, ne do të vazhdojmë edhe më tej të kërkojmë pëgjgjegjësi.

Lajme të ngjashme

Back to top button