Tetovë, dha dorëheqje drejtoresha e sh.f. “Istikball”, Kasami thotë se nuk ka nevojë të komentohet

Pas më pak se tre muaj në krye të detyrës, dorëheqje ka dhënë ushtrues detyre drejtoresha e shkollës fillore komunale në Tetovë “Istikball”, Qefsere Murseli, për shkak se, siç thotë ajo mungesës së bashkëpunimit nga ana e komunës, mungesës së komunikimit zyrtar dhe kërkesave për të vepruar në kundërshtim me ligjin. Kryetari i Komunës së Tetovës nga ana tjetër theksoi se deklarimet e drejtoreshës pas largimit nga posti, nuk vlen të komentohen, shkruan Portalb.mk.

Të mërkurën, me 5 prill, Murseli përmes një sqarimi në rrjetin e saj Facebook bëri të ditur se dorëheqjen e jep për shkak të mungesës së bashkëpunimit serioz e në nivel të duhur, dhe sidomos mungesës së ndihmës ligjore e logjistike por edhe mungesës së mbështetjes morale nga ana e Komunës së Tetovës ndaj shkollës “Istikball”.

“Problematikë mbetet dhe mungesa e komunikimit sipas një protokolli të vendosur më parë, dhe për pasojë mesazhet nuk komunikohen përmes kanaleve zyrtare, por përmes personave të dytë e të tretë që s’kanë kurrfarë lidhje direkte as me shkollën, e as me Komunën e Tetovës, por janë të afërt e familjarë të disave nga figurat kyçe të udhëheqësisë komunale”, njoftoi Murseli.

Ajo theksoi se problemi më i madh ka të bëjë me kërkesat e 4 prillit dhe 5 prillit nga të dërguar të Komunës së Tetovës që ajo si drejtoreshë të veprojë në kundërshtim me ligjin për të ndërprerë një procedurë disiplinore ndaj dy të punësuarave të cilat siç tha ajo jo vetëm që nuk e respektojnë orarin e punës, por edhe shpeshherë nuk shfaqen aspak në vendin e punës, duke kryer në këtë mënyrë obstruksione serioze në mbarëvajtjen e procesit edukativ e arsimor për nxënësit.

“Tendencat e këtilla të Komunës së Tetovës për të minuar dhe anashkaluar autoritetin tim si drejtoreshë e shkollës dhe duke i komunikuar mesazhet apo duke deleguar pjesë nga vendimmarrja tek pozitat zëvendëse ose vartëse janë veprime që nuk përputhen as me ligjin, as me misionin tim, as me misionin e shkollës, e as me praktikat normale e logjike të mbarëvajtjes së punës në një institucion ku vendosen themelet për krijimin e të ardhmes duke edukuar e aftësuar fëmijët tanë. Vonesat dhe pengesat në sigurimin e materialeve të nevojshme për vijim normal të procesit mësimor dhe punës në përgjithësi janë të pakuptueshme, sidomos kur ka indikacione se këto vonesa bëhen për të gjetur “tenderuesin që i përshtatet” dikujt me lidhje direkte në Komunën e Tetovës”, nënvizoi Murseli.

Ajo përfundoi se i takon inspektoratit arsimor që në të ardhmen t’i bëjë publike iniciativat e saj ligjore të dorëzuara deri te Komisioni Disiplinor.

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami i pyetur dje nga gazetarët për këtë rast, në një deklaratë për shtyp tha se deklarimet e ish drejtoreshës pas largimit nga detyra nuk ka nevojë të komentohen.

“Ne jemi në krye të institucioneve që të ballafaqohemi me problemet me të cilat ballafaqohen institucionet. Nëse ka pasur ndonjë sugjerim tjetër në statusin e saj, ka institucione të cilave duhet të ju drejtohet, unë si kryetar i komunës do të qëndroj pas çdo denoncimi që ka të bëjë me keqpërdorim. Por, deklarimet pas largimit dhe mos marrjes përgjegjësi deri në fund për t’i qëndruar në krye të sfidave dhe problemeve mendoj se nuk ka nevojë për t’i komentuar”, tha Kasami.

Portalb.mk kërkoi nga Komuna e Tetovës detaje shtesë për këtë rast, nga atje edhe pse na thanë se do përgjigjen, deri në publikimin e këtij shkrimi përgjigje nuk morëm.

Ndryshe, dje udhëheqësi i Arsimit në Komunën e Tetovës, Validin Ademi, përmes profilit të tij në Facebook njoftoi se ushtrues detyre drejtor në shkollën fillore komunale në Tetovë “Istikball” është Zija Ademi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button