Memeti: Burgjet e Maqedonisë me kushte të këqia, keqtrajtohen edhe fëmijët

Në institucionet ndëshkuese-korrektuese, në vend që të përmirësohen kushtet, ato përkeqësohen dhe ndikojnë në shkeljen e të drejtave të personave të privuar nga liria, bëri me dije sot avokati i popullit Ixhet Memeti. Gjatë vizitës së tij në Burgun Kumanovës ka konstatuar se burgu nuk ka kushte për risocializimqë është qëllimi i vuajtjes së dënimit. Por gjendja më shqetësuese është në Entin Edukues-Korrektues Tetovë, ku për shkak të kushteve e këqija dhe keqtrajtimit të fëmijëve, Avokati i popullit ka ngritur lëndë penale, transmeton Portalb.

Memeti sot e publikoi raportin e Mekanizmit Parandalues Nacional (MPN) për vitin 2014. MPN në vitin 2014 realizoi 29 vizita në institucione në Maqedoni, dhe 38 vizita në stacione policore.

“Vizitat më alarmante nga institucionet ishin te Qendra për të Huaj dhe te Enti Edukues-Korrektues në Tetovë, ndërsa nga 38 vizitat në stacionet policore 10 i plotësuan kushtet e vendit të ndalimit ndërsa 28 të tjerat MPN rekomandoi të mbyllen ose të përdoren vetëm për qëndrim të shkurtër.” tha Memeti, transmeton Portalb.

Në vizitat e stacioneve policore ata zbuluan ende më shumë dukuri shqetësuese, përkatësisht arrestimin e fëmijëve nën moshën 14 vjeçare (nga mosha 10-11 vjeçare) që është në kundërshtim me Ligjin për drejtësi të fëmijëve.

“Në vitin raportues vizituam 5 institucione ndëshkuese-korrektuese dhe Entin Edukues-Korrektues në Tetovë. Dua t’ju informoj se edhe më tej, tek personat e privuar nga liria ekziston frika për denoncimin e torturës dhe trajtimin jonjerëzor. Edhe në këtë vit patëm raste kur personat i ndryshonin deklaratat e dhëna fillestare se kanë qenë viktima të torturës”, tha Memeti. Në një rast, avokati kishte konstatuar lëndime të dukshme të klientit të cilat nuk ishin evidentuar në kartonin shëndetësor. Personi u ankua se mbi të është ushtruar torturë nga personi zyrtar, por gjatë procedurës e ndryshoi deklaratën se lëndimet janë bërë nga persona tjerë të dënuar. “Kjo dukuri çon deri në mosndëshkimin dhe inkurajimin e kryerësve e që është në dëm të parandalimit të torturës”, shtoi Memeti.

MPN do t’ia dërgojë raportin Nënkomitetit për Parandalimin e Torturës pranë Kombeve të Bashkuara.

Lajme të ngjashme

Back to top button