Basha: Ky është një rezultat inkurajues

Edhe pse nuk ka dalë akoma publikisht për të komentuar rezultatin e zgjedhjeve, kryetari i PD, Lulzim Basha, u ka dërguar një mesazh krerëve të degëve të PD, ku thekson se rezultati është inkurajues.

“Zotërinj kryetarë të degëve të Partisë Demokratike, zonja dhe zotërinj kryesues të shtabeve elektorale. Numërimi i votave për kandidatët po përfundon. Në të gjitha bashkitë e vendit, rezultati është inkurajues. Edhe pse përballë presionit të makinerisë shtetërore, blerjes së votave dhe kriminelëve të lidhur me pushtetin, Partia Demokratike së bashku me aleatët ka rritje votash në shkallë vendi rreth 9%, ndërkohë qe koalicioni kundërshtar ka pësuar rënie prej 18% krahasuar me votat e 23 qershor 2013, sipas projeksioneve të mbrëmjes së sotme.

Ky rezultat dhe fitorja e një sërë bashkish janë një hap i madh drejt ringritjes tonë. Nesër nis numërimi i votave për këshillat. Ju keni rol vendimtar dhe përgjegjësinë e plotë politike për të siguruar që asnjë votë e PD dhe aleatëve tanë të mos preket.

Porositni, motivoni dhe mbikëqyrni numëruesit tanë që të përmbushin me sukses të plotë këtë detyrë. Konfirmoni marrjen e këtij mesazhi dhe masave përkatëse. Përshëndetje të përzemërta, Lulzim Basha”, thuhet në mesazh.

Lajme të ngjashme

Back to top button