Ibraimi: I lumtur që erdha në Shkëndijë

Shkëndija ka prezantuar blerjen më të bujshme të merkatos verore, Besart Ibraimin. 29-të vjeçari të shtunën arriti akordin me drejtuesit ‘kuqezi’ për bashkëpunim dy vjeçar, ndërsa menjëherë ka udhëtuar drejt Sllovenisë për t’u bashkuar me ekipin në përgatitjet para pjesëmarjes në eliminatoret për Liga Evropa. Ai është shprehur i kënaqur që i bashkohet ekipit të Shkëndijës, me të cilën shpreson të arrijë të realizojë objektivat e përcaktuara nga drejtuesit.

“Jam i kënaqur që arrita marrëveshje me drejtuesit e klubit për t’iu bashkuar Shkëndijës, ekip simbol i shqiparëve. Pas një kohe të gjatë jashta vendit rikthehem në Maqedoni, por në një skuadër që po vendos standarde të reja nën menaxhimin e kompanisë Ecolog. Shkëndija tani funksionon në një nivel shumë të lartë, ngjan me klube të avansuara Evropiane dhe unë jam i kënaqur që bëhem pjesë e një kolektivi të këtillë. Do të jap maksimumin për të ndihmuar në realizimin e objektivave”, deklaroi Besart Ibraimi në prezentimin e tij si futbollist i Shkëndijës.

Ibraimi menjëherë pas firmosjes dhe prezantimit është akamoduar në bazën e skuadrës në Rogoshka Sllatina të Sllovenisë, ndërsa pas dite do të zhvillojë seancën e parë stërvitore me bashkëlojtarët e ri. Me ardhjen e tij shkon në tre numri i futbollistëve kërçovar në skuadrën ‘kuqezi’ ku bashkohet me bashkëqytetart Cuculin dhe Imerin. Besart Ibraimi është përforcimi i tretë i Shkëndijës në këtë merkato, pasi paraprakisht firmosën i riu Shqiprim Taipi dhe Ardian Cuculi, duke u shtuar tyre edhe rikthimin e trajnerit Shpëtim Duro.

 

Lajme të ngjashme

Back to top button