Shkëndija e vesh kuqezi Besart Ibraimin

Shkëndija godet fuqishëm në merkato. Besart Ibraimi zyrtarisht firmos kontratë dyvjeçare me ‘kuqezinjtë’ duke u shndruar në një prej blerjeve më të bujshme këtë verë në Maqedoni. Ashtu si kishte paralajmëruar, kryesia e klubit nuk nxitoi në këtë merkato dhe regoi aty ku duhet vetëm me ekstra kualitet. Reprezentuesi i Maqedonisë rikthehet në kampionatin e Maqedonisë pas një pauze pesë vjeçare, gjatë së cilës luajti në klube të ndryshme evropiane. 28 vjeçari Ibraimi vjen nga kampionati i Qipros ku luajti me Ermis Aradippou, pasi Shkëndija u tregua insistuese dhe fitoi betejën me klube të ndryshme që kërkonin angazhimin e tij.

Besart Ibraimi ka nisur karrierën te Vëllazërimi i Kërçovës, ndërsa përmes Napredokut kaloi te Renova. Në vitin 2010 bëri transferim senzacional në Bundesligë te skuadra e Schalkes, ndërsa më pas pasuan përvoja me Sevastopolin, Tavrian dhe Metalurh Zaporizhya në Ukrainë, si dhe Enosis Paralimni dhe Ermis Aradippu në Qipro. Kërçovari ka luajtur edhe me përfaqësuesen e Maqedonisë, ndërsa kthehet në kampionatin vendor si goditje e madhe në fanellën e Shkëndijës. Besart Ibraimi është futbollisti i tretë që firmos me Shkëndijën këtë merkato, pasi paraprakisht nënshkruan i riu Shqiprim Taipi dhe Ardian Cuculi. Besart Ibraimi të dielën udhëton drejt Sllovenisë për t’iu bashkuar skuadrës në fazën përgatitore, ndërsa brenda ditës së nesërme pritet të bëhet prezantimi i tij me fanellën ‘kuqezi’.

Lajme të ngjashme

Back to top button