Maqedoni: Ligji për azil, lehtësim për migrantët

Me ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për azil dhe mbrojtje të përkohshme në Maqedoni, të gjithë migrantëve të cilët do të kalojnë kufirin e Maqedonisë, u mundësohet të marrin një vërtetim me ç’rast atyre u garantohet të qëndrojnë pa problem në Maqedoni 72 orë, dhe pas kësaj kohe duhet ta kalojnë kufirin ose të kërkojnë azil.

Në pajtim me këtë zgjidhje ligjore, çdo i huaj në vendkalimin kufitar ose brenda shtetit, para nëpunësit të autorizuar policor, me shkrim ose gojarisht do të mundet të tregojë qëllimin për të parashtruar kërkesë për njohjen e të drejtës për azil.

“Vetëm gjatë 5 muajve të parë në vitin 2015, janë regjistruar 1248 emigrant me ç`rast ky numër është trefish më i lartë krahasuar me një vit më parë gjatë së njejtës periudhë, ndërkohë që të dhënat flasin se numri i emigrantëve është në rritje”, ka theksuar para deputetëve gjatë arsyetimit të ligjit në fjalë, ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë Mitko Çavkov.

Por, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare thonë se numri i migrantëve ilegal është shum më i lartë .

Blerta Daci nga Organizta Joqeveritare “LEGIS”, thotë se migrantët të cilët vinë nga viset e prekura nga lufta, zakonisht janë nga Afganistani, Siria, por edhe shtete të tjera nga lindja e afërt dhe Afrika e Veriut, kanë nevojë për ndihmë mjekësore dhe ushqim.

“Çdo ditë e më shumë ballafaqohemi me numrin në rritje të migrantëve. Gjatë muajve të kaluar në Maqedoni, për çdo ditë hynin rreth 200 emigrantë, por këto ditë ky numër arrin rreth 500 emigrantë të cilët futen në vend brenda ditës”.

Migrantët të cilët hyjnë ilegalisht në Maqedoni, territorin e vendit e kalojnë kryesisht duke udhëtuar në këmbë ose me biçikletë, pasi ligjërisht deri më tani ata nuk kanë pasur të lejuar përdorimin e transportuesve publik ose trenit.

“Ne nuk kemi të drejtë t’i strehojmë, kështu që ata janë të detyruar të flejnë rrugëve ose disa nga ata strehohen për pak orë në xhamitë e vendit, rruga e gjatë ka bërë që një pjesë e tyre të kenë plagë në gjymtyrë”, tha Daci./ REL

Lajme të ngjashme

Back to top button