Interpol-Tirana shpall në kërkim Francesko Bechetin

Italiani Francesko Becheti dhe administratori i kompanive të tij Mauro De Renzis jane shpallur në kërkim ndërkombëtar nga INTERPOL-Tirana.

Lajmi konfirmohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, sipas së cilës, urdhër arresti i lëshuar me vendim të Gjykatës së Tiranës i ka kaluar të gjithë zyrave të INTERPOL-it. Pritet që ky urdhër të vlerësohet edhe nga policia italiane, e cila bazuar në kërkesën e drejtësisë shqiptare, ka detyre te arrestoje Francesko Becheti pronarin e televizionit Agon Channel dhe aksionerin e saj Mauro De Renzi. Ndaj dy të shpallurve në kërkim, gjyqtarja Manjola Bejleri me kërkesë të prokurores Antoneta Sevdari ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, masë kjo tashmë e apeluar nga avokati mbrojtës.

Grupi hetimor i prokurorisë, vazhdon të administroje në dosjen hetimore prova që implikojnë kompanite e drejtuara nga Becheti ndër vite në Shqipëri. Burimet thonë se janë sekuestruar me cilësinë e proves, të gjitha faturat e dorëzuara nga kompanite e Bechetit në drejtorine e tatimeve, ku edhe janë rimbursuar nga TVSH-ja disa prej tyre. Prokurorët thonë se mes faturave të sekuestruara janë edhe ato të dorëzuara për punimet e kryera në Hidrocentralin e Kalivaçit. Referuar këtyre faturave dhe të tjerave të sekuestruara në Gjykatën e Arbitrazhit në Tiranë, që dyshohet se janë fictive dhe të falsifikuara është deklaruar se kompanite e Bechetit në kantierin e Kalivaçit kanë kryer punime në vlerën rreth 24 mln euro. Këto punime, sipas faturave, rezultojnë se janë kryer brenda periudhës 2007-2013. Ndërkohë, nënkontraktorët shqiptare që kanë kryer punime për llogari të kompanive të Bechetit, kanë dorëzuar fatura me vlerë rreth 9 mln euro për punë të ndryshme të kryera në hidrocentral.

Sipas këtyre statistikave dhe llogaritjeve të kryer nga ekspertët kontabël të caktuar nga prokuroria, rezulton se kompanite e Bechetit kanë rritur çmimet e punimeve shumë here ne krahasim me cmimet e deklaruara nga nënkontraktuesit, të cilët kanë kryer punimet. Gjithashtu, janë konstatuar edhe fatura të lëshuara për punë të pakryera ndonjëherë në Hidrocentralin e Kalivaçit. Ekspertët kanë konstatuar se diferenca mes shumës së deklaruar nga nënkontraktuesit me ato të kompanisë Bechetti, që dyshohet se janë fiktive, kapin shifrën rreth 15 mln euro./ABCnews/

Lajme të ngjashme

Back to top button