Çeku kërkon mbështetjen e Limajt për Prishtinën (Video)

Kandidati i PDK-së për Prishtinën, Agim Çeku dëshiron të lë pas historinë me vendbanimin e tij dhe të fokusohet në garën për Prishtinën.

Duke folur në Interaktiv të KTV-së, ai e ka pranuar që “letrat” e Prishtinës i ka marrë vetëm më 4 shtator, dhe se shtëpia e tij në “Veternik” është diku mes Prishtinës e Çagllavicës. Ai tha se PDK do të paguajë shpenzimet e postës për të shpërndarë 50 000 pyetësorë nëpër kryeqytet, në bazë të të cilëve ai synon të krijojë programin.

I anëtarësuar së fundi në PDK, Çeku tha se Fatmir Limaj është “brum” i PDK-së dhe kërkoi përkrahjen e tij. “Nuk besoj se ai do të bëjë thirrje kundër PDK-së në Prishtinë. Unë pres që ai publikisht të përkrahë kandidaturën time në Prishtinë”, ka thënë Çeku.

Ai konfirmoi se nuk e ka ndërmend të japë dorëheqje nga posti i ministrit të FSK-së, duke pohuar se do të ketë kohë për të dyja. Çeku nuk po e mendon aspak humbjen, duke pohuar se nga FSK-ja do të largohet me 4 nëntor, pasi ta fitojë Prishtinën.

Lajme të ngjashme

Back to top button