SHPRESA E THYER E LILËS

Lila, mësues i pensionuar,  rrinte para TV në shtëpinë e tij të vogël në Gazi Babë, një shtëpi me një dhomë e me një kuzhinë, ku nuk depërton kurrë drita e diellit e ku nuk largohet kurrë lagështia. E priste transmetimin e konferencës për media të LSDM-së për të ashtuquajturat bomba. Ai e dinte se nuk kishte mbetur thuajse askush nga shqiptarët pa u përgjuar, veçmas nëpunësit, mjekët, studentët e mësuesit. Po studentët, gazetarët dhe mësuesit kishin qenë në shënjestër të përgjuesve, që do të thotë se edhe ky, si mësues, e kishte dosjen e trashë diku nëpër arkivat e errëta të policisë. Aty do të jenë regjistruar të gjitha bisedat e tij, të gjitha emocionet, të gjitha ligjërata, të gjitha mendimet që i kishte këmbyer me miqtë për gjuhën shqipe, të cilën gjuhë e mbante për të shenjtë.

“Gjuha e nënës sime, s’ka më të shenjtë se ti”, thoshte.

“Ja, erdhi koha e “bombave” të kryetarit të partisë opozitare maqedonase LSDM, ku teknika i zbulon edhe muhabetet rrëqethëse të pronarëve të pushtetit”, mendonte Lila. “Tash e kemi ne radhën të vrojtojmë prapa perdeve të shtrenjta të pushtetarëve, në dhomat e tyre të mobiluara me dru mahagoni”, mendonte. “U erdhi koha edhe atyre të ‘mëdhenjve’ t’u shkruhen emrat në defterin e zi nga i cili emri nuk të fshihet kurrën e kurrës. Erdhi koha të dëgjojmë se çfarë ka zënë veshi i murit dhe çfarë ka parë syri i gardhit edhe për këto struktura që na kanë përgjuar neve me decenie, ndoshta edhe më shumë se me decenie. ‘Plasi’ e para për ata… Ndoshta do të ketë edhe të tjera. As mujsharëve s’u shkuaka kungulli përgjithmonë mbi ujë. Ta shohim çudinë!”…

Kur mbaroi konferenca për media, atij i tha diçka për brenda, i pëshpëritën kujtimet se në Lagjen e tij të varfër gjithmonë kishte pasur përgjime, me mjete teknike dhe pa to. A e the fjalën, ajo merrte dhenë në mënyrat më të çuditshme e të pashpjegueshme. Depërtonte edhe në birat e murit, nëpër ferrat e gardhit, fluturonte bashkë me erën dhe arrinte në veshët e gjithkujt që të tiret e të shpërndahet më tutje. Në lagje gjithkush dinte çdo gjë për akëcilën grua e cila e mashtronte të shoqin, për ndonjërin që e kishte mani të vjedhë këpucë të reja në xhami, çdo fjalë të thënë në mbrojtje të gjuhës shqipe e të shqiptarëve. Veçmas kjo për gjuhën shqipe e për shqiptarët i gjente shtigjet e çuditshme, i kalonte sokakët e ngushtë  lake-leqe të Gazi Babës e arrinte në vesh të organeve të sigurimit, të cilat pastaj këto fjalë i shumëzonin me dhjetë a me njëzet për t’i mbushur defterët e zez.  Një fjalë ta thoshe mjaftonte të  hapeshin e të mbusheshin defterët e dyshimeve për sharje të pushtetit, për veprimtari armiqësore, për irredentizëm, separatizëm e nacionalizëm shqiptar, për prishjen e marrëdhënieve të mira ndëretnike të Gazi Babës, të lagjes fajtore kujdestare, të Gazi Babës së mbuluar me myk e të Aerodromit të mbuluar me shkëlqim, e cila për ironi e kishte një shkollë me emrin Liria. Në këtë defter janë emrat e të gjithë mësuesve, të dikujt që i ka dalë zani për burrni e për urti, pse kanë marrë guximin ta shprehin dyshimin për punën e prokurorisë, të gjyqit, të qeverisë. Madje aty janë edhe bisedat e thjeshta të njerëzve që i kanë bërë duke luajtur tabëll, shah ose letra në çajtoret e lagjes ku atmosfera është e përzier me tym duhani të lirë e me zymtësinë e njerëzve që i mban fryma e lodhur e shpresës. “Strukturat” analizonin çdo fjalë e fjali që thuhej gjatë lojës së shahut, si bie fjala, “unë luaj mirë me kuaj”, “ti s’do ta shohësh atë ditë kur do ta marrësh një parti shahu nga unë”, “ti bre djalë je ulur të luash me burra” e ku ta di se sa fjalë e fjali të tjera, të cilat për “strukturat” mund të ishin metafora, parabola, aluzione, ironi e sarkazëm që shkojnë për të keq në adresë të organeve. Analizohej madje edhe kur dikush e përcillte ndonjë mysafir plak a plakë deri te stacioni i autobusëve. Këta pleq e plaka i fotografonin dhe fotografitë i futnin në defterin e zi si ilustrime “për përhapjen e gjerë të armikut të shtetit”. Pastaj i analizonin fytyrat, çfarë fshihej në shikimet e tyre, nën lëkurën e tyre, i analizonin dhe i kërkonin qëllimet se pse kishin ardhur këta njerëz mysafirë në Gazi Babë, kush ishin – me emër e mbiemër dhe pse nikoqiri u largua shpejt pasi i siguroi biletat e autobusit ose pse ndenji deri në fund dhe kur u nis autobusi e ngriti dorën, kurse njëri nga mysafirët e hipur në autobus i ngriti gishtat në formë të shkronjës V. Këtu ka diçka, do të shkruanin në defterin e zi “strukturat”. Kjo duhet hetuar mirë. Ndërkohë dyert e burgjeve rrinin hapur dhe pritnin “banorë” të rinj, kurse kërcënimet për dëbim nga puna ishin “forma” të buta “të edukimit” socialist e “patriotik” jugosllav.

Lila e mbylli televizorin dhe mori të dalë. E shoqja që ishte e zënë në kuzhinë i bërtiti:

“Lilo, a mos po del”?

“Po”.

“Në dalsh, merri edhe mbeturinat. Na është mbushur aty para dere, nuk kalohet”.

Lila i mblodhi disa najlona ku kishte lëvore patatesh, ndonjë shishe nga ato pijet e lira me gaz që në lagje i ruajnë për mysafirë, kuti ilaçesh dhe disa nga ato këpucët e lira kineze që grisen për dy-tri javë. Kah shkonte duke i tundur qeset me hedhurina, Lilës iu kujtua se me javë nuk kishte dalë matanë Urës së Gurit. E ku mund të shkonte mësuesi, përveç se në çajtore të lagjes ku çaji bën dhjetë denarë. Atje ku janë ato përmendoret që e prekin qiellin me dorë, Lila shkonte rrallë e në këmbë sa për ta ndërruar atmosferën e zymtë të Gazi Babës me një atmosferë normale të qytetit bashkëkohor dhe t’i lagë pak sytë me luks. Matanë Urës së Gurit, në sheshin e përmendoreve që më shumë dëshmojnë forcën e një politike se sa që flasin për një të kaluar jistorike, jo që nuk donte Lila të shkojë, por  nuk mund të shkojë shpesh sepse atje një çaj bën sa s’dihet. Shumë. Kurse Lila me atë pensionin e vogël të mësuesit e mban familjen dhe blen barna. E, edhe në çajtore daljen e ka me karar.

Po kthehej Lila me duar në xhepa në shtëpinë e tij të errët. Duke i ndërruar hapat ngadalë e duke shikuar majtas e djathtas, i rrotulloheshin nëpër mend të gjitha peripecitë jetësore, të gjitha ndjekjet dhe e pyeste veten:

Çfarë paskemi bërë ne? Pse e deshëm popullin tonë dhe gjuhën tonë të shenjtë, i kanë mbushur gjithë ato defterë nga përgjimet që na i kanë bërë? E kemi njohur vetëm fjalën dashuri! Kemi qenë të lumtur kur fëmijëve u çonim nga një copë bukë në shtëpi e rrallëherë edhe ndonjë akullore… A pse i paskemi mësuar fëmijët ta flasin e ta shkruajnë bukur gjuhën shqipe paskemi faj? Po ne në fjalorin tonë s’i kemi pasur fjalët grykësi, lakmi, pangopësi! A për këto vazhdimisht na ka ardhur hija e pushtetit prapa.

Tash, shiko se çfarë paskan bërë tash këta që u prijnë institucioneve?

“Çfarë kanë këta kolltukofagët në fjalorin e tyre përveç fjalës milion dhe përveç urrejtjes”?…

“Kot”, mendoi Lila në fund. Dhe e kroi kryet. “Nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim edhe pas këtyre hatave që i zbulojnë përmes bombave. Të burgosurit do të mbeten atje ku janë – në birë të miut. Të përndjekurit do ta kenë pas shpine edhe më tej hijen e njeriut të besueshëm “të strukturave. Mësuesi do të mbetet mësues, i ngulfatur në varfëri, të  mendojë a do të mund t’i shkollojë fëmijët e tij. Do të mbetet vetë, vetëm me faqen e bardhë. I  braktisur dhe i harruar në shtëpinë e tij me erë myku. Ata, eh ata, ata do të vazhdojnë nëpër kolltukë ditën e natën do ta kalojnë nëpër vila të ndryshme në Malet e Krojeve ose në Malin Sharr, ndoshta edhe Hurgad, në Binzu, në Kolberg, në Bregun Azur, në Rodos, në Agadir, Madeir, Majorkë, Gjerbë a në bregun e Detit të Zi në Turqi,  ku nuk arrin dot ajri i ndotur i Jugokromit dhe i makinave të vjetra që përditë e vrasin nga pak Tetovën e Gostivarin. Ata do të mbeten në kolltukë sepse gjykatës e prokurorë i kanë në shërbim të vetin, do të mbeten në pallate, në shkëlqim e në miliona duke bërë plane a do t’i shkollojnë fëmijët e tyre në Oksford, në Kembrixh, Sorbonë… Dhe, kuptohet nuk do të harrojnë ta kenë ndonjë dashnore a dashnor. I kanë ata edhe grigjën pas vetes. Edhe gjyqin. Edhe milionët… Do t’i kenë edhe votat edhe gazetarët e tyre privatë”…

Kurse Lila s’ka as parti, as mik në kolltukë, as prokurori të veten, as gjyq e as polici dhe është betuar se do të jetojë ndershëm dhe vetëm me të vërtetë, prandaj i mbetet të shpresojë, ndonëse e di se shpresa është punë koti.

Atëherë e ndjeu erën e rëndë të mbeturinave që shpërndahej nga kontejnerët.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button