Gruevski: Biznesmenët amerikanë të interesuar për Maqedoninë

Një kompani amerikane e tekstilit është e interesuar për bashkëpunim me kompanitë e Maqedonisë, ndërsa nga muaji maj i vitit të ardhshëm pritet edhe grupi i parë i turistëve nga Amerika të cilët do ta vizitojnë Maqedoninë.

Paralajmërimet e tilla dje janë prezantuar në Boston nga ana e përfaqësuesve të kompanive amerikane të cilat dëshirojnë të bashkëpunojnë me Maqedoninë.
Keti Kutrubes nga kompania “Kutrubes Travel” deklaroi se projekti i saj i biznesit për vizita turistike të qytetarëve amerikanë në Maqedoni po zhvillohet mirë dhe është në fazë përparimtare.

Pronarja e kompanisë së tekstilit “Bluston”, Beti Xheko e shqyrton opsionin për angazhimin e kompanive të tekstilit në Maqedoni në funksionin e biznesit të saj.
“Sa i përket kompanisë time unë jam e interesuar të siguroj furnizues të rinj të prodhimeve tekstile nga Maqedonia. Në të vërtetë e vizitova Maqedoninë dhe kompanitë e tekstilit dhe kam parë se janë shumë profesionalë, të sinqertë dhe dashamirës të punës”, deklaroi Xheko.

Në forumin e djeshëm të biznesit në Boston në të cilin mori pjesë delegacioni qeveritar i Maqedonisë janë prezantuar favoret për investim para 40 kompanive nga sfera e industrisë së tekstilit, arsimit dhe mjekësisë.

Kryeministri Gruevski para biznesmenëve të Bostonit i theksoi pakon më të ulët tatimore në Evropë e cila ekziston në Maqedoni, tregjet e siguruara prej mbi 600 milionë konsumatorë përmes marrëveshjeve për tregti të lirë, favoret në zonat e zhvilluara teknologjike-industriale dhe fuqinë e edukuar të punës. Ai u bëri thirrje biznesmenëve që ta vizitojnë Maqedoninë dhe të binden në faktet e prezantuara dhe të shikojnë se ekziston hapësirë për investimet e tyre dhe për të bërë biznes fitimprurës.

Lajme të ngjashme

Back to top button