KUJDES!

Jemi në udhëkryq si shqiptarë. Jemi edhe në hall. Jemi të rrezikuar. Nëpër popullin tone kanë kaluar gjithfarë ushtrish, gjithfarë hordhish të cilat, përveç zullumeve, dhunës e terrorit që kanë ushtruar mbi popullsinë e pushtuar edhe na kanë ndërruar disa here fetë, kryesisht me dhunë. Turqia, pas Skënderbeut bën pastrime të papara etnike duke dëbuar mbi pesëqind mijë shqiptarë në jugun e varfër të Italisë. Shtetet e formuara pas luftërave okupuese ballkanike, Greqia, Serbia, Mali i Zi e ndonjë tjetër na kanë bërë presione për asimilim, kanë bërë këmbim të popullsisë duke na përzënë në Anadoll, e gjetiu. Ndoshta tre mijë vjet kemi qenë në hapësirë të hapur, në erë, shi e stuhi, por ia kemi dalë të arrijmë deri në këto ditë. Ne nuk duhet të merremi me këto gjëra nga e kaluara për qëllime politike të ditëve të sotme, por ama nuk duhet të harrohen ndjekjet, vrasjet masive e format tjera të dhunës ndaj shqiptarëve, pastaj dëbimet  e pandërprera të shqiptarëve nga Ballkan vetëm pse një pjesë jona i takon besimit islam, katolik apo ortodoks  dhe veçmas pse kanë një traditë e një gjuhë të ndryshme nga popujt tjerë të Ballkanit. Kjo vetëm për një arsye: mos të përsëriten kurrë më krimet që janë bërë ndaj nesh deri në ditët e shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos. Duhet ta dijë rinia se të gjitha shtetet ballkanike e patën mbështetjen e fuqive të mëdha të kohës, përveç shqiptarëve. Shqiptarët mbetën në mëshirën dhe pamëshirën e hordhive të shteteve të sapoformuara ballkanike që u ngritën nga rrënojat e Perandorisë osmane.

Shqiptarët që kanë përjetuar të zitë e ullirit edhe sot janë të rrezikuar shumë, ngase nuk po rehatohen shtetet ballkanike ku shqiptarët e kanë pasur atdheun e tyre dhe e kanë edhe sot, brenda dhe jashtë Shqipërisë. Vendet ballkanike vazhdimisht kërkojnë shkaqe kotësie për t’i akuzuar shqiptarët. Propagandat e tyre vazhdojnë t’i paraqesin shqiptarët si mafiozë të rrezikshëm, tregtarë  me njerëz e ku ta di unë se çka tjetër. Natyrisht shumica janë gënjeshtra, por kur përsëritet gënjeshtra nga institucionet e instancat e ndryshme, kanë efekte.  Lexuesit i kujtohen marifetllëqet e Din Martit dhe Karla del Pontes. Prandaj burgjet në Maqedoni, Serbi, Kosovë, Greqi e nëpër vende të tjera janë plot me shqiptarë. Përveç kësaj kriza politike në Maqedoni dhe në Kosovë, kriza ekonomike në të gjithë rrethimin tonë, pastaj pozita e rëndë e shqiptarëve në Serbi e në Greqi janë nishane të këqija për ne. Ato mund të përdoren si pretekst nga fqinjët për të realizuar ndonjë djallëzi. Ndonjë sherr mund të mundohen ta shpikin për ta vështirësuar të ardhmen tonë. Prandaj kujdes!

Në Kosovë sot po ndodh diçka e turbullt, një absurd, një paradoks. Themelohen gjyqe speciale për t’i gjykuar shqiptarët që ishin viktimë gjatë luftërave të fundit në Ballkan, me ç’rast u shpërbë Jugosllavia. Në këtë shtet të ri korrupsioni është i lartë.

Në Maqedoni kriza politike dhe korrupsioni kanë arritur pikën e vlimit. Në përpjekjet që bëhen për zgjidhjen e këtij problemi dhe për hapjen e perspektivave, nuk përfshihen shqiptarët në negociata për të ardhmen e vendit. Pra, shqiptarët jo vetëm që nuk trajtohen si faktor paqeje këtu, por nuk përfillen fare.

Në Shqipëri deputetë e zyrtarë të parëndësishëm grekë e maqedonas “i tregojnë muskuj” Shqipërisë zyrtare. Dhe nuk e morën kurrë përgjigjen institucionale për veprimet e tyre. Pastaj brenda Shqipërisë është me gjithë çizme shteti grek përmes kishës së tij, kishës që është një me shtetin dhe e pandashme me të. Deputetët  zyrtarët e deklaruar si grekë, maqedonas, serbë e malazezë nuk punojnë për interesat e Shqipërisë. Kjo duhet të na vetëdijësojë, të na mbajë të kthjellët e të kujdesshëm, sepse këto gjyqe, këto ndërhyrje në punët e kishës autoqefale shqiptare, këto veprime të politikanëve joshqiptarë në Shqipëri, të cilat kalojnë thuajse me simpati gjithandej dhe trajtohen si veprime demokratike, kurse shqiptarët jashtë Shqipërisë ende vuajnë dhe trajtohen si delja e zezë në tufën e dhenve na bëjnë me dije se ne nuk jemi shumë të dëshirueshëm në Ballkan dhe se edhe Evropës nuk i ha fort palla për ne.

Në Ballkan sot rrjedh lumë urrejtja e paparë kundër shqiptarëve.

Në Greqi çdo kryeministër i është kërcënuar Shqipërisë. Dhe shumë media bëjnë propagandë antishqiptare. Madje propaganda e tyre ka arritur ta përfshijë edhe ushtrinë greke, ku kërkohen kokat e shqiptarëve. Greqia nuk jep pesë para për Ligjin e luftës që e mban “të aktivizuar” kundër shqiptarëve. Greqia bashkë me Qipron nuk e pranojnë Kosovën.

Propagandë edhe më të fortë ushtron Serbia me të tëra institucionet dhe mediat e saj. Vazhdimisht na shajnë me gjuhë raciste. Neve na trajtojnë si barbarë, si kriminelë, si okupatorë të egër nëpër shtëpitë tona. Na quajnë fise të egra e kështu me radhë.

Kështu veprojnë edhe mediat proqeveritare të Maqedonisë. Këtë gjuhë e dëgjuam edhe nga goja e funksionarëve më të lartë të vendit. Evropa hesht. Ndoshta e miraton këtë gjuhë të urrejtjes. Por heshtim edhe ne.

Kosovën, përveç Greqisë e Qipros, nuk e pranojnë as Rumania, as Spanja, as Sllovakia, kurse presidenti çek vazhdimisht flet me urrejtje e me arrogancë kundër Kosovës. As Bullgaria nuk ka treguar ndonjë mirëkuptim për shqiptarët. Për Rusinë mos të flasim fare. Dhe, më kryesorja, Vatikani deklaron haptas se nuk mund ta pranojë Kosovën për shkak të vëllezërve ortodoksë serbë, të cilët Kosovën e paskan pasur si vend të shenjtë. Dhe, në qofshin serbët vëllezër të Vatikanit, ne do të jemi e kundërta. Vatikani kurrë nuk e mori parasysh respektin që tregon shteti shqiptar dhe Kosova për Papën dhe vazhdimisht e hesht gjuhën e urrejtjes që shpërndahet nga institucionet serbe kundër selisë së shenjtë. Prandaj kujdes!

Një hall tjetër paraqesin edhe ndjekjet që u bëhen të krishterëve nga grupe kriminelësh të paskrupullt dhe disa të rinj nga viset tona që e kanë humbur torruan e shkojnë në luftërat e pakuptimta në Lindjen e Mesme. Axhamillëku i një numri të vogël të rinjve tonë në mënyrë plotësuese e ngre shkallën e rrezikut, sepse hap mundësi që bota perëndimore të tregojë me gisht drejt nesh. Prandaj kujdes!

Por nuk janë pa gjynah në këtë aspekt as klerikët myslimanë e ortodoksë të cilët shpeshherë i hedhin vaj flakës së urrejtjes ndëretnike e ndërfetare. Në Greqi dhe në Serbi shpeshherë e ngrenë zërin e urrejtjes priftërinjtë ortodoks kundër shqiptarëve. Dhe fjala e tyre nuk duhet nënçmuar. Prandaj kujdes!

Shumë intelektualë evropiane të krishterët e rrezikuar në Lindjen e mesme i trajtojnë si bartës të civilizimeve të hershme (që është e vërtetë) dhe si të tillë kërkohet që të gjendet mënyra për mbrojtjen e tyre (që pa dyshim është mirë), mirëpo askush nga politikëbërësit perëndimorë nuk e thotë edhe të vërtetën për ne, se edhe ne shqiptarët jemi një popull që e ruajmë një traditë të lashtë dhe një gjuhë që i duhet Evropës si një përmendore e madhe e civilizimit evropian. Evropa e ka borxh të kujdeset për këtë përmendore. Por deri më tash nuk ka bërë gjë. Prandaj kujdes!

Shqiptarët me kulturën e tyre janë një urë midis Lindjes e Perëndimit, janë një nyje e kulturës mesdhetare. Por, kjo nuk mund t’i vetëdijësojë të gjithë politikanët e vendeve ballkanike dhe as të vendeve të BE-së, të cilët shpeshherë ndikojnë që të krijohen çrregullime në rrjedhën e gjatë me mileniume të bashkëjetesës së këtushme. Këto çrregullime duken në rastin e Kosovës dhe të Serbisë. Gjyqi special krijohet në Kosovë dhe gjykohet viktima, kurse në Serbi nuk do të ketë gjyq të tillë që të gjykohet gjakësori.  Prandaj kujdes!

Neve na ka mbetur vetëm një shpresë: Amerika. Mirëpo as Amerika nuk mundet gjithmonë ta mbajë barrën e problemeve tona që i kemi me fqinjët. Që do të thotë: ne duhet t’i përveshim krahët të punojmë intensivisht për vete, për të ardhmen e fëmijëve tanë, për mbrojtjen e gjuhës sonë.

E para e punës është që klerikët mos të krijojnë përçarje midis pjesëtarëve të feve të ndryshme të shqiptarëve dhe të nxisin grindje me ortodoksinë që na rrethon. Klerikët nuk janë këtu që të luftojnë për interesa kolltukësh, por janë ata që duhet ta mbajnë flamurin e paqes. Ata, bashkë me politikanët duhet t’i afirmojnë vlerat kombëtare shqiptare, paqen me fqinjët, gjuhën shqipe si vlerë dhe ta lënë fenë të jetë punë personale e gjithsecilit, sepse ne nuk kemi kapacitete si komb ta mbrojmë as islamin as ortodoksinë shqiptare të themeluar nga Noli e as katolicizmin. Këto tradita i mbrojnë ata popuj dhe ato vende që kanë kapacitete ekonomike e politike për një punë aq të ndërlikuar. Ne, sigurisht, nuk jemi nga ata. Prandaj kujdes!

Ne mundemi vetëm të jemi bashkë dhe ta mbrojmë veten, pa marrë parasysh përkatësinë fetare. Kurrsesi nuk duhet të lejojmë kryqëzata moderne si ishin luftërat ballkanike të viteve 1912 e 1913. Nuk duhet përmes veprimeve tona të lëmë përshtypje se nuk duam t’u përshtatemi vlerave evropiane. Përkundrazi duhet të prijmë në shumë punë, siç janë arsimi, artet me orientim evropian dhe mënyra e të jetuarit evropiane, natyrisht duke i afirmuar vlerat tona kombëtare. Me këtë rast duhet të vihet në dukje se të gjitha këto nuk prekin në interesat fetare, po përkundrazi e ruajnë baraspeshën e krijuar me shekuj midis popujve që jetojnë në Ballkan e në Evropë. Mos ta biem punën që të na përsëriten dramat e shpërnguljeve të dhunshme të qindra mija shqiptarëve nga atdheu ynë, si në kohën pas vdekjes  së Skënderbeut, pas luftërave ballkanike dhe gjatë tërë periodës së komunizmit, kur pati shpërngulje të pandërprera nga këto anë. Kujdes, pra!

Kujdes, Evropa nuk e ka dënuar, sa e di unë,  inkuizicionin në Spanjë e në disa vende të tjera evropiane, pastrimet etnike që u bënë në Ballkan me dëbimet masive të shqiptarëve, gjenocidin që është bërë ndaj nesh në vitet 1912/1913 e më pastaj. Evropa nuk u trondit as kur Todor Zhivkovi i dëboi egërsisht rreth 370.000 turq nga Bullgaria. Madje këto punë janë heshtur. Ndërka njerëzit tonë duke e braktisur vendin e të parëve i kanë braktisur edhe gjërat e tyre të shenjta, gjuhën, traditën etj. A nuk janë këto krime? Prandaj kujdes!

Ne duhet t’i kemi parasysh interesat e Rusisë dhe të fuqive evropiane. Ne doemos duhet të gjejmë zgjidhje për bashkëjetesë dhe gjithsesi edhe për barabarësi të plotë kombëtare me të gjithë ata popuj që jetojmë bashkë ose në fqinjësi, sepse ne jemi në një pozitë gjeografike ku mund të jemi viktimat e para. Prandaj nuk duhet t’i japim material asnjë regjimi antishqiptar me veprimet tona të pamatura.

Sot ka shumë intelektualë perëndimorë që vajtojnë duke thënë se sot po ndodhka pastrimi etnik i serbëve në Kosovë, me metoda nga më të ndryshmet. Natyrisht edhe ata e dinë se s’është e vërtetë kjo, por u vjen mirë që ta besojnë gënjeshtrën e vet. Askush, ndërkaq, nuk thotë se Kosova në fakt i ngjan Rodezisë së Smithit, ku pakica serbe ka gjithçka, kurse shumica shqiptare është ajo që e braktis vendin sepse nuk e siguron dot as copën e bukës. Shqiptarët, në fakt janë kasta më e ulët në Kosovë, ku minoritetet kanë gjithçka, kurse shumica shqiptare – asgjë!

Është koha ta bindim Evropën se dikush e ndihmon pastrimin etnik të këtyre anëve nga shqiptarët dhe nuk janë shqiptarët ata që bëjnë zullume. Pse nuk e themi se fshatrat e sotme shqiptare kudo kanë mbetur të zbrazura, kurse shqiptarët i ke gjithandej nëpër vendet e BE-së dhe të vendeve të tjera perëndimore, ku dihet se shpejt do të asimilohen.

Evropa na ka borxh të marrë masa t’i mbrojë shqiptarët, ta pengojë shpërnguljen e tyre, t’u ndihmojë ta bëjnë një jetë me dinjitet, t’i ruajë faltoret e tyre qofshin ato të përkatësisë myslimane apo të krishtera. Evropa mund ta japë provimin e saj vetëm duke i mbrojtur shqiptarët e mbetur jashtë kufijve të Shqipërisë. Dhe, natyrisht duke mbështetur Shqipërinë. Kështu mbrohen vlerat demokratike, vlerat Revolucionit francez, vlerat evropiane.

Kurse shqiptarët duhet të jenë të bashkuar rreth kombit, rreth gjuhës dhe rreth vlerave evropiane. Interesat e imëta partiake e personale duhet t’i harrojmë në këto çaste. Kujdes! Duhet ta kemi të qartë se jemi në udhëkryq. Dhe, edhe në ngushticë!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Back to top button