“Surpriza” e Kaçes, i kërkon falje lojtarit serb

Dëshira për t’u kthyer sa më parë në fushën e lojës e Ergys Kaçes po shtyn futbollistin 20-vjeçar shqiptar të kryejë disa veprime që nuk është se po e kthejnë në një figurë të dashur për tifozët e kombëtares shqiptare. Çudia e radhës së djaloshit korçar është ajo ku i ka kërkuar falje shokut të tij të skuadrës, serbit Zvonimir Vukiç për faktin se ka dalë në foto me fanellën e UÇK-së, duke menduar se me veshjen e asaj fanelle, ka fyer këtë të fundit.

Lajmi konfirmohet nga vetë futbollisti serb për “sport.gr”, duke shpjeguar se si futbollisti shqiptar e kishte kontaktuar pas stërvitjes së të martës, duke i kërkuar falje për foton. 34-vjeçari serb ka mbetur i çuditur nga ky veprim i pakuptimtë i mesfushorit shqiptar që me sa duket mendon se ka fyer shokun e skuadrës, duke veshur atë fanellë.

“Mua nuk ke pse më kërkon falje, por vetes, pasi rrezikon të mbetesh pa karrierë. Je i ri dhe duhet të luash futboll. Unë nuk kam asnjë problem me ty”, ishte komenti me të cilin Vukiç ka përcjellë Kaçen, raporton gazeta “Shqip”.

Kjo gjë pritet të acarojë akoma edhe më shumë tifozët e kombëtares. Fillimisht Kaçe pohoi se nuk e dinte se çfarë ishte UÇK dhe se bluzën e kishte veshur sa për t’i plotësuar dëshirën një shoku. Bashkë me veprimet e fundit, Kaçe nga i adhuruar mund të kthehet në një futbollist të urryer nga tifozët, sidomos nga shqiptarët e Kosovës.

Sipas nënkryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Bekim Haxhiu, deklarata e Kaçes për UÇK-në është fyese për të gjithë shqiptarët, dhe se Kaçe nuk e meriton t’i përfaqësoj ata në e kombëtaren shqiptare. “Deklarata e juaj: ‘se po ta dijë nuk do ta vishja!’ Është fyese për tërë shqiptaret, andaj ju nuk e meritoni t’i përfaqësoni ata në Kombëtare”, shprehet Haxhiu.

Në një situatë të tillë, i vetmi lajm i mirë për mesfushorin shqiptar vjen nga klubi, që me sa duket ka vendosur të ndërpresë pezullimin e tij pas shpërthimit të kësaj çështjeje. Pas insistimit të trajnerit Hub Stivens, për të cilin futbollisti shqiptar është një element kyç i mesfushës. Presidenti Ivan Savidis ka vendosur që lojtari të kthehet pjesë e grupit që në javën e ardhshme.

Sipas medieve greke, ai ka takuar dje lojtarin shqiptar dhe ia ka komunikuar këtë vendim, duke i bërë të ditur se deri atëherë, do të stërvitej me një trajner të posaçëm, në mënyrë që të kthehej në formë fizike sa më parë. PAOK këtë sezon e sheh veten mes pretendentëve për titull, ndërsa merr pjesë edhe në Europa League, ndaj Stivens e sheh aktivizimin e Kaçes si të domosdoshëm.

Lajme të ngjashme

Back to top button