Blerim Bexheti do të shqyrtojë kërkesën e SHGM-së për faljen e Kezharovskit

Ministri i Drejtësisë Blerim Bexheti tha se do të shqyrtojë kërkesën e SHGM-së për faljen e Kezharovskit pas vendimit të Gjykatës së Apelit.  Ai u shpreh se do të presë përfundimin e procesit gjyqësor për të vendosur lidhur me kërkesën e SHGM-së.

“Edhe atëherë edhe sot themi se me seriozitet e patëm shqyrtuar. Por prej atëherë deri sot kemi ndryshim të situatës. Tani më në shkallë të parë kemi një vendim nga ana e gjyqit. Me siguri palët do të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës, dyshkallshmërinë që është e obliguar, dhe do të presim më tej vendimin e gjykatës së apelit”, tha Blerim Bexheti.

Ndërkaq Vllado Kambovski theksoi se në vazhdën e ndryshimeve të Kodit Penal që parashikon rritjen e dënimeve për veprat e rënda penale, duhet të praktikohen rekomandimet e Këshillit Evropian për zbatimin e masave alternative për veprat e lehta penale.

“Kjo tendencë e rritjes së dënimeve për autorët e veprave më të rënda penale, duhet të ketë kundër efekt, të ketë tretman më të butë për autorët e veprave më të lehta, për të cilët duhet të praktikohen masat alternative, si puna në të mirë të shoqërisë, dënimi me kusht, prolongimi me kusht i procedurës, burgu shtëpiak. Këto janë në fakt të rekomanduara me aktet e Këshillit të Evropës”, u shpreh Vllado Kambovski.

Këto komente u bënë gjatë debatit publik për propozim ndryshimet e Kodit Penal, të cilat mes tjerash parashikojnë edhe dënime më rigoroze për pedofilët dhe dhunën në terrenet sportive.

Lajme të ngjashme

Back to top button