Bumçi: Vetoja kundër Maqedonisë në NATO, dëmton shqiptarët
Kryeministri Edi Rama po dëmton shqiptarët me deklaratën e tij për të vënë veton ndaj anëtarësimit të Maqedonisë në NATO.
Ky reagim vjen nga deputeti demokrat Aldo Bumçi në një intervistë për A1 Report, ku flet për situatën në diplomacinë shqiptare. Bumçi kritikon qeverinë se nga teza për 0 probleme me fqinjët, ka hapur probleme të dukshme me Maqedoninë e Greqinë apo edhe me vetë Bashkimin Evropian.
“Rajoni i Ballkanit ka ndryshuar. Problematike është politika e jashtme e Shqipërisë që ka ndryshuar për keq. Kapim pjesën me Maqedoninë. Shqipërisë i ka interesuar gjithmonë pavarësia e këtij shteti. Shqiptarët atje kanë përmirësuar statusin e tyre, në vitet 90 kanë qenë diku te 1 % , tani janë në nivele drejtuese, zëvendësministra, ministra, deputetë etj. Patjetër ka ende për t’u bërë, por përmirësimi është i ndjeshëm. Mbështetja nga Shqipëria ka ecur paralel me rritjen e të drejtave të shqiptarëve atje, në dallim nga fqinjët. Mbështetja ka qenë qasja më e duhur, por çfarë bën kryeministri, kërcënon me veto Maqedoninë, tërheq vëmendjen sikur problemi është ndërshtetëror. Ndërsa problemi është i brendshëm i qeverisë Gruevski që po sillet si Putini. Për çfarë mund të vendosjet vetoja, për Ohrin, Marrëveshja e Ohrit është proces. Si mund të vendoset veto për një proces që po zhvillohet”, tha Bumçi.
Ish-ministri i Jashtëm, Aldo Bumçi sqaron se Shqipëria ka probleme edhe me Greqinë, ku pas ardhjes në pushtet dhe një marrëdhënie të mirë mes 2 vendeve, kemi një ftohje, dhe Ministria e Jashtme nuk po jep asnjë arsye duke mos e bërë transparent.
“Kur erdhën në pushtet thanë që do kemi 0 konflikte me fqinjët dhe më Greqinë, por ku jemi sot me Greqinë kemi probleme. Por me parë nuk kemi pasur asnjë lloj problematike, dhe falë bashkëpunimit kemi përfituar anëtarësimin në NATO dhe liberalizimin e vizave. Nuk kemi pasur veto greke, në asnjë rast. Gjatë qeverisjes tonë kemi patur disa problem, por që më shumë u frymë artificialisht, si bllokimi i shqiptarëve në kufi, apo e varrezave në Përmet. Që nuk kishin të bënin me qeverinë. Qeveria e ere erdhi dhe tha se nuk do kemi problem me fqinjët, erdhi z. kryeministri i Greqisë dhe presidenti dhe pati shumë vizita të zyrtarëve tanë. pse filloi mirë dhe u prish, çfarë ndodhi rrugës , Ministria e Jashtme të japi sqarime. Nuk ka transparencë. Mungon informacioni”, u shpreh Bumçi.
Bumçi më tej vlerëson edhe vizitën e kryeministrit Serb Aleksandër Vuçiç, si tejet pozitive për marrëdhënie të mira bilaterale.
“Është pozitive sepse nxit marrëdhëniet dypalëshe, Serbia është një vend i rëndësishëm i Ballkanit. Me të cilin nuk kemi raporte sa të mira për shkak të Kosovës, por besoj se edhe Serbia po ecën në drejtin e duhur, duke e njohur de fakto duke shkruar edhe de Jure”, tha deputeti i PD, Aldo Bumçi.
Ndërkohë në lidhje me një kërkesë të mundshme nga Turqia për të mbyllur disa shkolla në Shqipëri, Bumçi thotë se nuk është në dijeni të saj, por nuk mund të pranohen kërkesa të tilla.
“Nuk e di është bërë ose jo një kërkesë e tillë, a ka qenë ose jo zyrtare. Por kolegji turk është inauguruar nga ish-presidentit Sulejman Demirel, që inauguroi hapjen e kolegjit, mban emrin e një presidenti tjetër Turgut Tozal, dhe janë parë si ura komunikimi mes dy vendeve. Nuk mendoj që kërkesa të tilla mund të pranohen, dhe më duken të paarsyeshme”, tha Bumçi.