Bastet sportive dhe beteja e vështirë e Ramës

E kam përqafuar nismën e kryeministrit Rama dhe veprimet konkrete që ka marrë Policia e Shtetit për lojërat e fatit, kazinotë dhe aktivitete të tjera të këtij lloji të palicensuara.

Gjithashtu, si qytetar i këtij vendi dhe i lidhur me botën e sportit, me të gjithë problematikën e madhe që ka në vendin tonë, më erdhi mirë që numri një i qeverisë Shqiptare personalisht deklaroi se do të ndërhynte në bastet sportive, kryesisht me kompanitë e huaja që kanë shtrirë aktivitetin edhe në Shqipëri nëpërmjet aksesit online, duke luajtur madje “live”. Janë vërtet shifra tronditëse ato që deklaron kryeministri, që nëpërmjet basteve online, ikin 700 milionë dollarë jashtë vendit. Miliona dollarë dhe euro, që përfundojnë në xhepat e bosëve të kompanive të basteve sportive, pa paguar asnjë qindarkë në arkën e shtetit shqiptar. Dëshiroj, ashtu si shumë qytetarë të tjerë, që këto pará të qëndrojnë në Shqipëri. Qeveria ka ngritur një grup pune, duke dashur të bllokojë adresat online.

Por nuk është kaq e thjeshtë, me një të rënë të lapsit. Përballë kompanive gjigante të basteve sportive, ku janë të punësuar me mijëra e mijëra vetë, agjentët shqiptarë dhe specialistë IT tanët do ta kenë të vështirë të bllokojnë aksesin e tyre në vendin tonë. “Sbobet”, “365.com”, “bet365”, “mybet” , “bwin” e shumë e shumë kompani të tjera që kanë shtrirje jo vetëm në Shqipëri, kanë të punësuar hakera dhe profesionistë sa i takon teknologjisë kompjuterike dhe lufta përballë tyre do të ishte një betejë tepër e vështirë. Teorikisht është e lehtë, pasi mjafton të klikosh në këto kompani dhe me anë të një filtri, mund të bllokohet në territorin shqiptar. Por kjo do të ishte vetëm sinjali i parë i luftës që u shpallet këtyre kompanive.

Imagjinoni për një moment, një kompanie që i ikin nga duart miliona euro, do të bënte të pamundurën për t’i rimarrë ose më e keqja, të pranonte në uljen e fitimeve, por kurrsesi mos fitonte asgjë. Të gjithë përdoruesit shqiptarë që kanë një “account” në këto kompani, natyrisht kanë edhe adresë e-mail, që janë private, dikush me emra të vërtetë, por shumica me emra joorigjinalë. Duke parë bllokimin që bën shteti shqiptar, këto kompani, sa hap dhe mbyll sytë, krijojnë “web” të ri dhe ua shpërndajnë menjëherë nëpërmjet e-maileve klientëve të tyre. Kjo mund të bëhet praktikë çdo mëngjes deri në drekë, kur ndeshjet e futbollit janë më të pakta dhe në Shqipëri luhet kryesisht pasditeve. Nëse bllokohen sërish, të nesërmen sërish adresë e re, për çdo ditë të vitit po qe nevoja. Kjo është njëra anë…

Individë të ndryshëm, tashmë të “infektuar” me bastet sportive, kryesisht ata që luajnë me shuma të mëdha, edhe sikur të bllokoheshin të gjitha adresat e kompanive të basteve, do të hapnin një llogari jashtë vendit dhe me anë të komunikimit interaktiv, që mund të jetë nga më të ndryshmit, në anën tjetër të botës një person mund të luajë sipas dëshirës të “pronarit” të llogarisë, ose kur është vetë jashtë shtetit do të luajë vetë. Mjafton të gjendet një njeri i besuar jashtë vendit, që besoj çdo shqiptar tashmë e ka një kushëri apo familjar të afërm.
Këto devijime më erdhën kollaj në mendje, por jam i sigurt që kompanitë e basteve sportive do të përdornin edhe metoda më të sofistikuara, në mënyrë që të përfitonin nga tregu shqiptar.
Mendoj se, përveç kësaj nisme pozitive (edhe pse e vështirë të funksionojë 100%), duhen disiplinuar edhe bastet sportive në Shqipëri. Kompanitë tona u japin nipte sekondare pikave të ndryshme të basteve dhe si të thuash lirohen nga tatimet, pa harruar sallonet që kanë hapur vetë kompanitë. Mendoj se duhet të deklarohet fitimi real (nuk besoj se humbin ndonjëherë, ose humbja mund të jetë me gishtat e një dore gjatë një viti) dhe tatimi të bëhet në bazë të fitimit dhe jo të xhiros, pasi ndryshe nga shumë biznese, mund të bëhen miliona e miliona lekë xhiro gjatë një dite dhe në fund të ketë rezultuar një fitim shumë minimal, që nuk mund të paguash taksa. Dhe tjetra, disa kompani të basteve sportive janë në të zezë, ose përdorin të njëjtin nipt.

E fundit që dua të ngre si problem, si përfaqësues i botës së sportit, është përqindja e fitimeve që duhet t’i kalojnë sportit nga bastet sportive. Që klubet tona, sportistët tanë, federatat shqiptare të kenë më shumë grante, duhet që 2 përqindëshi i miratuar me ligj t’i kalojë sportit. Kjo është diskutuar e stërthënë disa herë, por duhet ta them sërish. Në mënyrë që sportistët tanë të mos jenë të detyruar të trukojnë ndeshje për të mbajtur familjen, pasi presidenti apo donatori nuk ka lekë t’i paguajë (mos flasim për bashkitë). Trukimi është një tjetër plagë, por që janë të lidhura edhe me bastet sportive. E para, ndeshjet e kampionatit shqiptar të mos futen në baste. Ndërsa hapat e tjera të trukimeve është thjesht çështje vullneti e Prokurorisë Shqiptare. Nëse do të ngrihej një grup i specializuar pune, si në vendet fqinje apo në shumë shtete të tjera, jam i sigurt që do të ishin me qindra dhe jo me dhjetëra njerëzit e arrestuar në Shqipëri. A do të ndodhë kjo dhe kur mund të ndodhë? Siç e thashë, është thjesht çështje vullneti. Mendoj se me nxitjen e qeverisë shqiptare, duke parë dëshirën e madhe që ka nisur ndaj këtyre fenomeneve vërtet shqetësuese për shoqërinë shqiptare, mund të realizohet. Jam optimist dhe kryqëzoj gishtat…(BW)

Lajme të ngjashme

Back to top button