Berisha: Fshihesh pas ordinerëve që më shajnë. Rama: Kumarxhi e fute vendin në borxhe

Debati për projektbuxhetin e vitit 2014 ka vijuar gjatë gjithë natës në parlamentin e Shqipërisë. Seanca maratonë ka nisur që prej orës 11:00 të ditës së djeshme, ku po diskutohet paketa fiskale dhe buxheti i vitit 2014.

Më shumë se 20 orë deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë analizuar dhe debatuar lidhur me dy çështjet e mësipërme. Kalimi nga taksa e sheshtë në taksën progresive, rritja e tatimit mbi biznesin, rritje të taksave të tjera, kanë qenë pjesa më e debatuar.

Kryeministri Edi Rama ndërsa prezantoi buxhetin e ri për vitin 2014 tha se, ky është buxheti që i jep fund rrënimit dhe vë në lëvizje ekonominë e bllokuar shqiptare. Rama e cilësoi këtë buxhet të shlyerjes së borxheve dhe sipas tij është detyrim i qeverisë shqiptare ratifikimi i këtij buxheti të firmosur nga një milion shqiptarë. Por, kryeministri Rama tha se rruga përpara është e vështirë dhe se ishte i vetëdijshëm, se jo të gjithë do të mund të mbeteshin të kënaqur.

Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha i cili ndërhyri disa herë radhazi, duke replikuar jo vetëm me zotin Rama, por edhe me ministrat e kabinetit të tij: “Ju keni dyfishuar taksat, biznesin e vogël e keni rënduar shumë më tepër. Ju jeni në luftë kundër të gjithëve, kundër qytetarëve, në luftë fiskale kundër bizneseve, në varfëri dhe mjerim ndaj të gjithëve. Çmimin do e paguani ju dhe do e paguani shumë shpejt. Me këtë buxhet po sillni një destabilizim të shpejtë dhe të rëndë të Shqipërisë dhe shqiptarët nuk do ta pranojnë kurrë këtë që po bëni ju”. Gjatë debateve, Berisha tha se shumë shpejt kjo qeveri do paguajë çmimin.

Berisha e akuzoi edhe njëherë kryeministrin, Edi Rama se ka shkelmuar të gjitha premtimet, me të cilat vodhi votat, duke u thënë shqiptarëve “kalova lumin…, të …kalin”. Berisha i kërkoi Ramës që të mos mbrohet nga “ordinerët”(deputetët e majtë), por të dalë vetë e të mbrojë paketën fiskale.

“Të mbrojë paketën e tij fiskale, me të cilën po mjeron shqiptarët si askush tjetër. Ty të kanë bërë synet politik, duhet ta zbërthesh vetë ti. Shërbehet me ordiner në mënyrë që të mbahet. Rruga është ti dalësh zot vetes”,- tha Berisha.

Edhe ish kryetarja e parlamentit, Jozefina Topalli replikoi me kryeministrin Rama, pas akuzave të deputetit Taulant Balla për vizita të shumta të saj jashtë vendit.

Topalli tha se deputetët e opozitës kanë lexuar mesazhet e Ramës, pasi sipas saj ai nuk kishte mundësinë t’i thoshte vetë në Parlament.

“Ti s’je burrë, nuk je për kryeministër, por duhet të të vijë turp”,- iu drejtua Topalli kreut të qeverisë, Edi Rama, i cili nuk replikoi me asnjërin prej tyre.

Rama: Kryefamiljari horr, kumarxhi (Berisha) zhyti vendin në borxhe

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se, buxheti i ri po i hap një rrugë të re për vendin, duke dhenë fund rrugës së rrënimit. Kryeministri shtoi me tej, se qeveria e re është gjendur para një situate i është dashur të legalizojë borxhin që ia la qeveria pararendëse. Rama e krahasoi qeverinë e larguar, me një kryefamiljar kumarxhi, horr që e futi familjen në borxhe. Sipas Ramës edhe vendi ynë në të njëjtën situatë ndodhet. Ai tha se Shqipëria është e zhytur në një tërësi borxhesh, gjë që është dëshmuar edhe nga FMN-ja.

Berisha: Rama fshihet pas ordinerëve, u çon sms që të më shajnë

Deputeti Sali Berisha e mori sërish fjalën, menjëherë pasi mbaroi ministrja e Mbrojtjes. Berisha vijoi sërish me akuza ndaj kryeministrit dhe bëri thirrje që Parlamenti të votojë kundër këtij drafti ekonomik të hartuar nga qeveria. Sipas Berishës, buxheti u hartua fshehtas dhe penalizon hapur Veriun.

“Buxheti u miratua fshehtas në shpellën e qeverisë, maratonë gjithë natën për të fshehur të vërtetën nga ju arriti tani në finish. Ky është finishi i turpit, që kanë frikë nga veprat e tyre, i një procedure që vihet në funksion të fshehjes së të vërtetës me taksat. Se këta nuk ulin taksa, këta i ngrenë taksat dhe nxjerrin nga xhepi i qytetarit vetëm lekë. Kjo është procedurë e turpshme që vihet në funksion të një gjëme që mban në vetvete ky buxhet, procedurë e turpshme që mashtron çdo qytetar shqiptar që shkelmon mbi ta produkt i injorancës totale i një mendje të sëmurë. Këta mburracakë, përsërisin si papagaj, megamshtrimin e një mëndje që prodhojnë çdo ditë gënjeshtra të tilla. Thirrja ime është votojeni kundër këtë buxhetin. Ah dhe kjo, ky buxhet ka përjashtuar Veriun, totalisht nga investimet”.

Gjatë fjalës së tij ndërhyri kryeministri Rama, i cili ishte ulur pranë deputetit Pandeli Majko dhe po diskutonin me njëri-tjetrin. Berisha nga foltorja e Kuvendit, ju drejtua duke i thënë: “Mbylle gojën aty se nuk dua të të numëroj gjëra që nuk dua të them. Se po të dua të them të gjitha variantet shqeto apo jo shqeto, ose dil jashtë po të duash rri aty ku je. E di unë, ke hall atë punën e synetit, por unë të flas në politikë, por ai fiziku nuk ta lejon ty, të veshin një këmishë të gjatë dhe pastaj të bëjnë synet. Ky është buxhet i një mendje të sëmurë. Mos u ngatërro me delikuentë, se e dimë që je t’i që fshihesh pas vetes tate, ke këtu 3-4 sharës profesionistë që u çon sms dhe fshihesh pas tyre”.(shekulli) 

Lajme të ngjashme

Back to top button