Debat në Tiranë: Faktori politik shqiptar në Maqedoni ballafaqohet me defaktorizim dhe deligjitimim

Faktori politik shqiptar në Maqedoni po ballafaqohet me një defaktorizim dhe deligjitimim politik në një kohë shumë vendimtare, jo vetëm për këtë shtet, por edhe për rajonin në përgjithësi. Kjo u tha në debatin e organizuar sot në Tiranë nga Instituti i Studimeve Politike (ISP), ku pjesëmarrës ishin ish-presidenti shqiptar Alfred Mojsiu, ish-ministri i Financave Arben Malaj, kryetari i OVL-UÇK-së Besim Hoda, politikani Xhelil Bajrami, ish-ambasadori i Shqipërisë në Shkup Arben Çejku, drejtori i departamentit për politikë të jashtme i PD-së Kreshnik Çollaku, publicisti Xhelal Neziri dhe përfaqësues tjerë nga jeta publike e dy vendeve.

Mojsiu vlerësoi se ajo që ndodhi në Kumanovë më tepër dukej si një ndërhyrje ushtarake, sesa policore. “Ballkani gjithmonë ka qenë fuçi baroti. Në Ballkan filluan dy luftërat botërore, andaj duhet të jemi syçelë për atë që ndodh në Maqedoni”, tha ai. Duke i bërë një rekapitullim gjendjes së shqiptarëve në Maqedoni që nga pavarësimi i saj, Hoda tha se situata është e ngjashme me fillimin e luftës në vitin 2001.

“Njëjtë si para 14-të viteve, edhe sot po ndodh defaktorizimi i subjekteve politike shqiptare. Nëse në atë kohë shpresa shihej te UÇK-ja si faktor ushtarak, sot fatkeqësisht shqiptarët e Maqedonisë kanë mbetur jetim, pa përfaqësim institucional. Shpresën e tyre për rrugëdalje nga ky qorrsokak fatkeqësisht e shohin te opozita maqedonase”, tha Hoda.

Sipas tij, fajin për këtë situatë e kanë përfaqësuesit politik shqiptar në Maqedoni, të cilët janë peng të hipotekave personale apo grupore.

Hoda e përshëndeti paralajmërimin e kryeministrit Edi Rama për veto ndaj Maqedonisë nëse nuk përmbush Marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se kjo jep shpresë te shqiptarët se fati i shqiptarëve nuk është vetëm në duart e politikanëve të korruptuar të Shkupit.

Çollaku nuk u pajtua me atë që Shqipëria të përdorë veton për Maqedoninë.Ai tha se qeveria e Tiranës duhet të bëjë çmos që Maqedonia të ngelet në trenin e integrimit në NATO dhe BE, e jo ta bllokojë. Vetoja, sipas tij, do ta forconte edhe më shumë Gruevskin, i cili ka dhënë shenja se nuk është i interesuar sinqerisht që Maqedonia të integrohet në strukturat evroatlantike.

Ish-ambasadori Çejku dënoi dhunën e përdorur mbi banorët e Kumanovës dhe kërkoi hetim ndërkombëtar për zbardhjen e situatës. “Faktori politik shqiptar duhet të unifikohet me qëllim që të artikulojë si duhet interesat e shqiptarëve në Maqedoni. Nevojitet një rol më i madh i dy universiteteve në Tetovë, i rinisë studentore në drejtim të ofrimit zgjidhjeve të krizës”, deklaroi Çejku.

Lajme të ngjashme

Komentet

  1. Çollaku duhet ta ketë parasysh një fakt: Gruevski i trajton shqiptarët si inidjanca, si fise barbare, si fise të zbritura nga malet. Duhet Shqipëria të bëjë diçka që ta ndërrojë këtë gjendje. Apo ndoshta Çoëëaku pajtohet me ish ministren e PB të Maqedonisë?

Back to top button