Shtainmajer: Kriza në Maqedoni mund ta destabilizojë gjithë rajonin

Situata në Maqedoni, pas ngjarjeve në Kumanovë, të qetësohet dhe vendi të vazhdojnë rrugën evropiane, kështu ka deklaruar Ministri gjerman i Punëve të Jashtme Frank-Valter Shtainmajer, transmeton DW.

“Incidenti i javës së kaluar e ka frikësuar Evropën. Ne shpresojmë se atë që kemi parë nuk është fillimi i eskalimit dhe se autoritetet në Maqedoni do të bëjnë përpjekje për të ndriçuar plotësisht dhe në mënyrë transparente ngjarjet. Ne shpresojmë se nuk do të ketë më incidente tjera të tilla”, deklaroi Shtajnmaer në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati.

Ai pret që situata në Maqedoni të normalizohet dhe të mos krijohen konflikte të cilat mund të çojnë në konfrontim të hapur mes komuniteteve etnike ose deri në konflikt rajonal.

“Shpresoj se Maqedonia do ta konfirmojë vullnetin e fortë për t’u bashkuar me BE-në, dhe unë nuk dyshoj se ata do të zgjedhin këtë rrugë. Sa për Maqedoninë, ajo nuk paraqet një shqetësim të veçantë për Gjermaninë, por ajo është brengë evropiane. Çdo kthim prapa të një vendi nga Ballkani Perëndimor, mund të reflektojë tek fqinjët. Për këtë shkak jemi të interesuar jo vetëm që ta kemi para syve Maqedoninë, por jemi të kujdesshëm që të mos krijohet konflikt që do të çojë në konfrontim të hapur mes etnive. Me kolegun tim nga Maqedonia për këtë kemi biseduar në margjinat e takimit të NATO-s në Antali. Unë i thashë atij se mënyra më e mirë, mjet më efikas kundër dyshimeve është ndriçim transparent i ngjarjeve. Tani ne duhet të shohim nëse kjo do të bëhet”, tha Shtajnmaer.

Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme Bushati tha se Maqedonia demokratike dhe e qëndrueshme është e rëndësishme për stabilitetin në Ballkan. Sipas tij, integriteti territorial i Maqedonisë nuk duhet të kërcënohet, ndërsa kriza aktuale duhet të zgjidhet.

Lajme të ngjashme

Back to top button