Korrupsion me tragetet në Vlorë? Qindra pasagjerë lihen 6 orë në det

Qindra pasagjerë të një trageti të linjës Brindizi – Vlorë u lanë në det për afro 6 orë.

U është thënë se nuk mund të zbrisnin në port, për shkak të problemeve që kanë dy kompani me njëra – tjetrën. Pjesë e këtij konflikti, pas të cilit, sipas pasagjerëve qëndrojnë afera korruptive, është bërë edhe Drejtori i Portit të Vlorës, që ka përgjegjësinë për menaxhimin e situatës.

Pasagjerët, mes të cilëve ka patur fëmijë, të sëmurë e të moshuar, thonë se kanë vënë në dijeni edhe Ministrin e Transporteve dhe atë të Brendshëm, por situata nuk ka ndryshuar. Kanë qëndruar sërish në det, pasi Drejtoria e Portit nuk ka lejuar ankorimin.

Kanë mundur të zbresin vetëm kur ka vendosur autoriteti portual.

Drejtuesit e Drejtorisë së Portit të Vlorës nuk pranuan të japin shpjegime para kamerave. Të pyetur nga Televizioni Klan, ata thonë se agjencitë e trageve të linjës janë rregulluar mes tyre me anë të një grafiku për ankorimet në port.

Por drejtuesit e tragetit që u la në det për 6 orë, me të gjithë pasagjerët në bord, thonë se krerët e Drejtorisë së Portit po favorizojnë njërën linjë dhe për këtë arsye penalizojnë qytetarët.

Për situatën e krijuar dhe për odisenë e qindra pasagjerëve, askush nuk mban përgjegjësi./ Tv Klan

Lajme të ngjashme

Back to top button